E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja depoziton në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e dosjeve



Partia Socialiste ka depozituar dje ankesën e saj në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit të kontestuar të dosjeve, të miratuar në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës.
36 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, por edhe deputetë të partive aleate si PDS-së, PSD-së, madje edhe nga PBDNJ-ja kanë firmosur kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila përmban ankimimin ndaj ligjit për dosjet. Kërkesa është depozituar dje nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, i cili tha se në të kërkohet pezullimi i ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, pasi ky ligj është antikushtetues dhe shkel 28 nene të Kushtetutës. Pasi depozitoi në sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese ankimimin, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, dha një prononcim për mediat. Xhafaj tha se ligji në fjalë duhet pezulluar, pasi ai është ligji më antikushtetues dhe shkelja më flagrante që nga viti 1990. “Dëshiroj t’ju them se në këtë ligj janë shkelur jo pak, por si në asnjë rast tjetër, të paktën 28 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është shkelja më flagrante që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në historinë tonë 18-vjeçare”, - tha Xhafaj. I pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e PD-së se nuk do ta njihte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputeti socialist tha se pretendimet e maxhorancës nuk qëndrojnë, se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë të drejtë të marrin vendim, dhe se ky vendim duhet të zbatohet, siç e parashikon edhe Kushtetuta. Menjëherë reagoi Partia Demokratike, me anë të zëdhënësit të Grupit Parlamentar, Aldo Bumçi. Bumçi tha se pavarësisht ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, ligji i dosjeve do të zbatohet. “Ligji është në fuqi dhe për sa kohë do të jetë në fuqi, ai do të zbatohet. Ankimimi i opozitës në Kushtetuese nuk pengon zbatimin e tij”, - është shprehur Bumçi. Ai konfirmoi sërish qëndrimin e maxhorancës se do ta çojë deri në fund nismën e ndërmarrë përmes miratimit të ligjit të dosjeve, duke pastruar administratën shtetërore nga ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist. Bumçi akuzoi gjithashtu kreun e PS-së, Edi Rama, se po përpiqet që të mos hapen dosjet që implikojnë familjen e tij.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›