E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria po rrezikon integrimin europian

TIRANË - Partia Socialiste akuzoi sot qeverinë se po cënon demokracinë vendore në Shqipëri.
Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së Eduard Shalsi, tha se, "që kur erdhi në pushtet Sali Berisha jo vetëm që nuk bëri asnjë gjë për të vazhduar reformat në sistemin e qeverisjes vendore, por përkundrazi shkeli dhe vazhdon të dhunojë demokracinë vendore ne Shqipëri".

Sipas tij, "Berisha po kërkon të ndalë dhe të kthejë mbrapsht një proçes decentralizimi, që jo thjesht dhe vetëm cënon demokracinë vendore në Shqipëri, por rrezikon seriozisht integrimin europian të shqiptarëve".
Krerët e bashkive socialiste, nën moton "Të drejta sipas ligjit", zhvilluan dje përpara godinës së Kryeministrisë, një protestë që siç u shprehën ata, "zhvillohet kundër cënimit të Kushtetutës dhe ligjit për autonominë vendore".

Por ministri i Financave, Ridvan Bode ka deklaruar se "qeveria i përmbahet filozofisë së taksave të ulëta dhe i ka përgjysmuar ato".
Në këtë drejtim z. Bode i bëri thirrje dhe drejtuesve të pushtetit lokal për të mos kërkuar dyfishim të taksave për biznesin e vogël, pasi sipas tij, "kjo jo vetëm është në kahje të kundërt me politikat e qeverisë, por edhe do të çojë në dështim nga ana e qeverisjes vendore për mbledhjen e tyre, siç dhe ka ndodhur”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›