PS: Qeveria ska shkëputur shqiptarët nga pasiguria energjetike
Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj për situatën energjetike në vend. “Po mbyllet viti i tretë i qeverisjes së Sali Berishës dhe ende nuk kemi asnjë burim të ri energjie të ndërtuar në vend e që do ishte pjesë e një plani të madh për shtimin dhe diversifikimin e burimeve energjitike, të mjaftueshme për nevojat familjare dhe për të mbështetur e nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.Pra, nuk është ndërtuar asnjë termocentral, asnjë HEC madje as ndonjë park energjitik të premtuara me shumë bujë përpara 3 Korrikut 2005. Qoftë ky me gaz, qoftë ky me erë!Madje, qeveria ka harxhuar kohë e burime financiare si pasojë e premtimeve të para 3 Korrikut duke vonuar për arsye korruptive ndërtimin e Tec-it të Vlorës i cili tashmë duhet të kishte mbaruar fazën e parë dhe do prodhonte energji!”- shpreh Andis Harasani, i PS-së sot për mediat. Ai kujtoi premtimet e qeverisjes Berisha në këtë fushë por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë për këtë sektor.
“Qeveria nuk po mban premtimin për t’i shkëputur njëherë e mirë shqiptarët, bizneset, nga pasiguria energjitike. Madje importet e energjisë elektrike mbeten jo transparente aq sa bëjnë të besueshëm dyshimet se jo e gjithë sasia e paguar në këto muajt e fundit po hidhet në rrjetin tonë energjitik! Theksojmë që po paguhet por dyshohet se nuk po shkon për furnizimin e familjeve e bizneseve në vend”- tha Harasani. PS-ja ka kërkuar me këmbëngulje që strategjia e shtimit të burimeve energjitike të mos mbesë në letër, por më tepër letrat e vendimet të kthehen në vepra e jo në elementë të tregtimit të korrupsionit.