E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni arkeologjik, gërmime në luginën e Drinos

 

GJIROKASTËR- Pasuria arkeologjike dhe trashëgimia kulturore përgjatë luginës së Drinos në rrethin e Gjirokastrës, vazhdojnë të përbëjnë një tërheqje të veçantë për specialistët e monumenteve të kulturës, arkeologët apo grupet e ndryshme të vizitorëve. Gjatë ditëve të fundit sitet dhe objektet arkeologjike të kësaj zone kanë tërhequr sërish interesimin e misionit arkeologjik shqiptaro-italian. Përgjatë tri viteve të fundit ky mision ka realizuar një sërë kërkimesh duke arritur të nxjerrë nga thellësitë e nëntokës elementë me vlera të rralla historike dhe studimore ne lidhje me zhvillimin social-ekonomik dhe kulturor të kësaj zone. “Aktualisht në qendër të punës sonë është përpilimi i hartës dixhitale në lidhje me vendodhjen e siteve arkeologjike përgjatë luginës së Drinos”, thotë profesori i universitetit të Maceratës, Itali, Roberto Perna. Krahas 10-15 siteve të njohura më parë si ai i Adrianopolit, Antigonës, Palokastrës etj, misioni arkeologjik gjatë këtyre ditëve të para të kësaj faze të projektit ka identifikuar edhe rreth 40 site të tjera arkeologjike në zonën e Selckës, Stegopulit, Selos etj. “Në përfundim të verës misioni arkeologjik shqiptaro-italian synon të përgatisë hartën dixhitale në të cilën do të jenë identifikuar rreth 100 site, objekte arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore përgjatë luginës së Drinos”- thotë arkeologu Vladimir Qirjaqi. Ndërkohë sipas arkeologëve italianë bashkëpunim me kolëgët shqiptarë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe universitetit “Eqrem Çabej” ka qenë i frytshëm pasi krahas promovimit të objekteve arkeologjike të njohura apo pak të njohura është bërë edhe identifikimi i siteve dhe objekteve arkeologjike dhe atyre të trashëgimisë kulturore të panjohura më parë. Për specialistët e misionit arkeologjik shqiptaro-italian i rëndësishëm është fakti që në të ardhmen këta elementë të jenë të vizitueshëm duke u vendosur në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë zonë. Falë pasurisë historike, arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore që mbart, Jugu i Shqipërisë shikohet si një zonë me resurse të rëndësishme për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimin e turizmit kulturor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›