E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Rama: Pa vlerë vendimi i KQZ për djegien e fletëve

TIRANE-Kryetari i PS-së Edi Rama sot gjatë bashkëbisedimit të radhës me gazetarët e ka cilësuar si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Ndërsa KQZ vijon mbledhjen në institucionin e vet për vendimin e djegies së fletëve të votimit, numri një i PS, Rama nga selia e PS theksoi se në kodin zgjedhor është shkruar qartë se pa firmën e nënkryetarit të KQZ-së çdo akt që mban vetëm firmën e kryetari është i pavlefshëm.

Sipas tij ky akt tregon më së miri se kryeministri Berisha i vodhi votat e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe se është fajtori për refuzimin e statusit të vendit kandidat për në BE.
“Mbledhja sot e KQZ është akti i demaskimit të Berishës si kusar të votave të popullit”.

Rama theksoi se Saliu dhe Jozefina tallen me qytetarët duke thënë se meritat për vizat e kishte qeveria ndërsa fajin për humbjen e statusit e ka opozita.
“Por refuzimi i statusit është një vizë e kuqe mbi keqqeverisjen e Saliut dhe Jozefinës. Mund të lexoni raportin e Komisionit Europian se cfarë shkruhet aty për opozitën dhe se cfarë shkruhet për Kuvendin, e kryesisht për Jozefina Topallin” theksoi Rama.

Duke mbetur tek marredhënia e opozitës me Kuvendin, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se mardhëniet e PS, partisë më të madhe të opozitës me Kuvendin e Shqipërisë, do të vazhdojnë të mbeten të kushtëzuara.
Rama vuri në dukje se Kuvendi në vazhdimësi e ka shpërfillur institucionin e opozitës. Për këtë, Rama fajësoi kryesisht sjelljen e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Ne kete pike, lideri i opozitës ka nënvizuar se PS do të vazhdojë edhe me nismën e mocionit kundër kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, të cilën sipas tij e kritikon edhe vetë Brukseli. “KE ka të drejtë kur drejton gishtin nga Jozefina Topalli dhe ne do vijojmë nismën tonë për ta cuar në Kuvend. Ajo do të vlejë për të konsumuar cdo mundësi të PD për të na penguar ne”, ka theksuar Rama.

I pyetur per mardhenien e PS me Parlamentin, Rama nënvizoi se opozita do të jetë në Parlament dhe do të vazhdojë përpjekjet e saj për kthimin në normalitet të jetës parlamentare.
“Prania në Kuvend as që vihet në diskutim”, tha Rama duke fajësuar për rrëzimin e parregullt të rezolutës së PS-së dhe propozimit për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të shkuara.

Rama ka theksuar se opozita nuk do të lejojë në asnjë mënyrë grabitjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale. “Kemi një qeveri që rri në pushtet me vota të vjedhura për të vjedhur vendin. Dhe ne do luftojmë që ta largojmë këtë qeveri me protesta dhe me zgjedhje të parakohshme, që nuk do të lejojmë të grabiten njësoj si ato të 28 qershorit”, ka pohuar sot Rama para gazetareve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›