E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Rishikojmë koncensionet. LSI: Urojmë mos të jetë fushatë

TIRANE- Programi 300-ditor i qeverisë së re do të jetë gati në 20 korrik, deklaroi dje sekretari për programin në PS, Ilir Beqaj. Në intervista për radion “Evropa e Lirë”, dy bashkëpunëtorët, Ilir Beqaj nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI kanë sqaruar edhe çështjet që do të nisin të marrin zgjidhje që në ditët e para të qeverisjes. “Ne kemi nevojë të domosdoshme për një normalitet demokratik, kemi nevojë për një normalitet të rendit publik në administrimin e financave publike dhe padyshim, paralelisht vendi është gjithmonë nën kërcënimin e situatës jo të mirë energjetike dhe natyrisht kjo është një gjë që duhet përballuar me shpejtësi dhe efektivitet. Rreth datës 20 korrik do të kemi një produkt që do t’ua vëmë në dispozicion drejtuesve të dy partive”, tha Beqaj. 

Ndërsa Edmond Haxhinasto nga LSI tha: “Përveç ekonomisë, programi do të përfshijë dhe reforma të tjera institucionale, kryesisht ato që kanë impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët, që i garantojnë atyre shërbime më të mira apo shërbime të munguara. E kam fjalën këtu për sigurinë e jetës së qytetarëve, për disa ndërhyrje të shpejta në shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve”. Programi i ri qeverisës, një harmonizim i programeve mes dy forcave fituese të zgje-dhjeve, do të trajtojë me prioritet dhe investimet e mëdha, thotë Haxhinasto. “Po kështu, një rrugë tjetër e rëndësishme që kemi identifikuar është ajo e realizmit të investimeve të mëdha, qoftë e investimeve të huaja direkte, qoftë e investimeve vendase dhe për këtë sigurisht rruga e duhur është përmirësimi i klimës së biznesit, që ka shumë vend për t’u përmirësuar”, u shpreh ai. Investimet shihen si burim potencial për punë-sim. Beqja thotë se në këtë aspekt objektivat e dy partive janë të përputhshëm. “Të dyja partitë që në platformën e tyre elektorale, edhe sektorët e zhvillimit të ekonomisë që do të ofrojnë këtë mundësi për punësim i kanë praktikisht të përputhura, manifakturë, fshat dhe shërbime. Ndërkohë jemi të vetëdijshëm që kemi një potencial të fjetur në bregdetin shqiptar dhe që duhet të kemi një qasje krejt të re në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë”, theksoi Beqja. 

VENDIMET
Pjesë e një vendimmarrje të menjëhershme të qeverisë që nis punë në shtator do të jenë vendimet e marra nga qeveria në ikje pas datës 23 qershor thotë Beqja. “Midis veprimeve më të para do të jetë dhe anulimi i disa vendimeve të marra në këto ditë të qeverisë në ikje. Vendime që bien ndesh në radhë të parë me miradministrimin e financave dhe të pasurisë publike, veprime që janë marrë në fakt, duke mos zbatuar të gjitha standardet dhe rregullat ligjore në Shqipëri, vendime që lidhen me kontrata, koncesione prokurime”, shprehet Beqja. Në sitë, edhe pse jo menjëherë do të kalojnë të gjitha koncesionet e lëshuara në katër vite qeverisje pa dallim, edhe nëse ato janë marrë nga ministri të administruara nga LSI, kur kjo e fundit bashkëqe-veriste me të djathtët shton më tej Beqja. “Nuk ka selektivitet se në cilën ministri janë lëshuar koncesione të caktuara apo në cilët sektorë janë dhënë këto koncesione. Ne jemi të angazhuar që të bëjmë një analizë të detajuar të të gjithë koncesioneve të dhëna. Sigurisht, ka koncesione për të cilat jemi deklaruar që do t’i shërbejmë, siç është ai lotarisë kombëtare, ai i markimit të naftës, edhe pse dimë që këto ditë vetë Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë atë koncesion”. LSI nuk duket e shqetësuar me këtë proces, që siç thotë Haxhinasto, do të jetë i orientuar drejt atyre vendimmarrjeve ku ka dyshime për shkelje të procedurave ligjore. “Unë nuk besoj se Partia Socialiste është duke folur për ndonjë fushatë kundër koncensionarëve apo investitorëve të huaj, por ndoshta ata kanë parasysh ose janë në dijeni të ndonjë rasti specifik, ku mund të ketë pasur devijim nga ligjshmëria e dhënies së koncesionit. Mendoj se është interesi i koalicionit për Shqipërinë evropiane, që Shqipëria të garantojë një klimë sa më të qëndrueshme, me një besueshmëri shumë të lartë ndaj investitorëve të huaj, me qëllim që të investojnë dhe të krijojnë vende të reja pune”, thekson ai. Qeveria e re do të trajtojë edhe çështjen e pronave, por ende nuk ka një afat. 
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›