E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Shamku: Shkollat të kërcënuara, mungon siguria

PS akuzon qeverinë për mungesën e sigurisë në shkollat publike. Duke iu referuar ngjarjeve më të fundit të ndodhura në institucionet e edukimit arsimor, Shamku theksoi se mësuesit dhe prindërit po bëhen peng të një politike antiqytetare. 

TIRANE- Partia Socialiste akuzon përmes kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Informimit, Ledi Shamku mungesën e sigurisë në shkollat publike. Duke iu referuar ngjarjeve më të fundit të ndodhura në institucionet e edukimit arsimor, Ledi Shamku tha se mësuesit dhe prindërit po bëhen peng të një politike antiqytetare që nuk garanton sigurinë dhe jeta ka pak vlera.

“Nëse do t’i kishin dëgjuar qoftë edhe një ditë të vetme mësues e prindër, do të kishin mësuar se ata thonë prej kohësh që ky sistem i kalbur arsimor e ka humbur lidhjen me edukimin e i është larguar vlerave qytetare, kujdesit ndaj adoleshentëve, vëmendjes së veçantë ndaj fëmijëve që kanë probleme në familje apo në shoqëri. Jemi të gjithë peng i një politike antiqytetare, që nuk garanton siguri e për të cilën jeta ka fare pak vlerë” deklaroi Shamku përpara gazetarëve.

Duke ju referuar plagosjes së adoleshentit në Lezhë, përpara pak ditësh, Shamku theksoi se çdo familje shqiptare pa të kërcënuar sërish fëmijtë e vet nga një dukuri që këto kohë është shpeshtuar frikshëm: mungesa e plotë e sigurisë ndër shkolla.

“Jam këtu si një ata nga qindra mijëra prindër të cilët kjo qeveri, pasi i detyroi ta paguajnë vetë rojën e godinës së shkollës, u ktheu kurrizin duke i lënë thuajse në dorë të fatit. Kam të njëjtën revoltë me çdo prind, që u ndje i fyer kur pa Zv/Ministrin e Arsimit që edhe kësaj radhe belbëzoi ca fjalë të zbehta duke kërkuar të merreshin masa” u shpreh kryetarja për Komisionin e Edukimit dhe Informimit në Partinë Socialiste. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›