PS: S'ka Kuvend pa zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit
TIRANË- Partia Socialiste ka përsëritur sërish sot qëndrimin e saj të vendosur për marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, duke theksuar se do të vijojë bojkotin deri në zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit.
Gjatë një deklarate për mediat, deputeti Blendi Klosi ka pohuar se "Zgjedhjet e ditës së shtunë, nuk zgjodhën vetëm kryetarin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, por në të njëjtën kohë, konfirmuan në mënyrë plebishitare qëndrimin e socialistëve dhe socialisteve në mbështetje të marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin për aq kohë sa nuk zbardhet e vërteta e 28 qershorit".
Sipas tij, ajo është një kërkesë e drejtë, kushtetuese, në mbështetje të ligjit, që kërkon të mbyllë përfundimisht kalvarin e zgjedhjeve të manipuluara në vendin tonë.
"Shkalla e manipulimit të zgjedhjeve po faktohet dita ditës, jo vetëm nga opozita, por edhe nga investigimi i pavarur i medias"- tha ai, duke shtuar se hetimi që kërkojnë socialistët për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, është vendosmëria që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje të standardeve të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, të jenë të lira dhe të ndershme, ku ligji të mbizotërojë mbi pushtetin dhe askush të mos guxojë të dalë mbi të.