E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të heqë dorë nga minimi i hetimit për Gërdecin

Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, është shprehur se Berisha bën demagogji me shifrat

Kryeministri i Gërdecit. Kështu e ka cilësuar Partia Socialiste kreun e ekzekutivit Sali Berisha, menjëherë pas raportimit të këtij të fundit në lidhje me ecurinë e qeverisjes për 7 muajt e parë të vitit 2008, ku tragjedia e Gërdecit dhe përballimi i situatës pas saj është vlerësuar prej tij si arritja më e madhe e kësaj qeverie në këto 200 ditë. Nënsekretari socialistë për programin, Ilir Beqja, duke marrë shkas nga deklarata e gjatë e kryeministrit, në emër të Partisë Socialiste ka vlerësuar si të pavërteta dhe spekulative pjesën më të madhe të arritjeve të servirura prej kreut të qeverisë. “Kryeministri i Gërdecit paraqiti arritjet, gjoja të papara, të qeverisë së Gërdecit. Edhe ne deklarimet e sotme (dje), Kryeministri vijoi me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij. Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që edhe sipas vlerësimit të organizmave ndërkombëtarë të specializuar, korrupsioni në vend vazhdon të rritet”, - u shpreh Beqja. Sipas tij, arritjet e publikuara nga kryeministri bien ndesh me të dhënat e paraqitura në vazhdimësi nga organizmat e specializuara nderkombëtare. “Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që edhe sipas vlerësimit të organizmave ndërkombëtarë të specializuar, Shqipëria vijon të mbetet burim dhe tranzitim i trafikut të lëndëve narkotike. Kryeministri Sali Berisha vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur dhe nuk po arrin të kuptojë që ngjarja e Gërdecit ishte shembulli më tipik i kapjes së tij dhe qeverisë së tij nga trafikantët e të korruptuarit dhe hetimi kapilar për këtë krim monstruoz shtetëror s’mund të jetë i plotë pa kryeministrin në listën e personave në hetim”, - tha më tej Beqja. PS i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të lërë retorikat boshe dhe shfajësuese në lidhje me përgjegjësinë për tragjedinë e Gërdecit dhe t’i hapë rrugë hetimeve të prokurorisë për të nxjerrë para ligjit autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

“Meqë kryeministri nuk ka ku gjen kurajën për t’u zhveshur nga imuniteti, e ftojmë të heqë dorë të paktën nga tentativat për të minuar punën e prokurorisë me projektligje ogurzeza për drejtësinë në Shqipëri”, - shtoi Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›