Partizani s'do "gjeneralë", por "ushtarë"
Babamusta, Bulku, Hallaçi..., këta janë lojtarët me të cilët trajneri Hasan Lika do të donte të punonte te skuadra e Partizanit. Sepse janë lojtarë të bindur, të pafjalë, të cilët mundohen të japin gjithmonë maksimumin, sipas mundësive të tyre. Ndoshta emrat e rikthyer nuk intrigojnë, por për stafin teknik janë ata për të cilët Partizani ka nevojë. "Partizani nuk do lojtarë që shesin ndeshje,"është shprehur presidenti Xhani gjatë prezantimit të sponsorit qipriot. Shumë nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit, që mbyllën sezonin e kaluar, nuk janë më pjesë skuadrës. Presidenti Xhani ka nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet për largimin e tyre, por ajo që ka ndikuar në vendimet e tij është shuma e madhe e parave që duhet për t'u paguar kontratën. Aq me tepër kur ata ngrenë krye për këtë problem. Në klubin e kuq thuhet se asnjë lojtar e ri nuk do të ketë kontratë më shumë se 20 milionë lekë. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk është arritur marrëveshja me ish mbrojtësin e Vllaznisë, Marenglen Kapaj. Por një tjetër emër i lakuar së fundi për të veshur bluzën e kuqe është Henri Ndreka. Për lezhjanin presidenti Xhani është vënë në dilemë, pasi stafi teknik nuk është dakord për këtë futbollist. Po bëhet gjithçka për të shmangur emrat pompozë, të cilët kërkojnë shuma relativisht të mëdha dhe që e kanë arritur kulmin si futbollistë. Presidenti i Partizanit është i bindur se skuadrës së tij nuk i duhen më "gjeneralë", të cilët do t'i hapnin probleme me kërkesat e tyre të larta financiare, por "ushtarët" e bindur, ata që të ulin kokën dhe nuk do ta çonin nëpër mend të mos u bindeshin trajnerit. Më afrimin e Bulkut dhe Babamustës, organika e kuqe duket më e kompletuar. Diferencën, atë që e presin me ngulm tifozët e kuq, pritet ta bëjnë brazilianët që do të mbërrijnë javën që vjen. Në të kundërt, pra edhe nëse pista braziliane nuk rezulton e suksesshme, Lika do t'u besojë vetëm futbollistëve të rinj, që kanë mbushur radhët pas largimit të titullarëve të shumtë.