E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimet e Berishës në 7- mujorin e parë

Kryeministri gjatë prezantimit të punës së qeverisë së tij ka harruar të flasë për rritjen e çmimeve

“Kjo është periudha e ritmeve më të larta të ndërtimit dhe modernizimit të infrastrukturës së vendit, e rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve, periudha e fillimit të qëndrueshëm të bumit ekonomik dhe bumit të investimeve të huaja, hapave më të shpejta të Shqipërisë drejt moshës digjitale”. Ky është përkufizimi që i ka bërë kryeministri Sali Berisha punës së qeverisë së tij për 7 muajt e parë të vitit 2008 (1 janar-1 gusht 2008) duke paraqitur çdo të dhënë si tepër pozitive dhe të pa realizuar ndonjëherë më parë. Duke bërë bilancin për çdo sektor, kreu i qeverisë në një fjalim të gjatë ka paraqitur në mënyrë të detajuar të gjitha ato që ai i në vazhdimësi i ka konsideruar si arritje të qeverisjes, pavarësisht se shifrat e deklaruara prej tij kanë qenë jo në përputhje me realitetin. Ai nuk ka ngurruar që të krenohet gjatë ditës së djeshme edhe me ato që të gjithë qytetarët shqiptarë i shohin si dështime të përditshme.

Kështu, sikur të mos jetonim në këtë vend, kreu i qeverisë ka deklaruar se rritja ekonomike e vendit për këtë 7- mujor ka shënuar shifrën rekord 10.4 për qind, në një kohë që shqiptarët ankohen çdo ditë e më shumë për pamundësitë ekonomike për të përballuar jetën. Megjithatë kjo shifër mbetet për tu verifikuar përsa kohë institucionet monitoruese të zhvillimit ekonomikë të vendit nuk kanë dhënë ende një vlerësim për të. Një tjetër aspekt i qeverisjes i paraqitur si tepër i suksesshëm nga kryeministri ishte dhe papunësia, e cila sipas tij ka rënë në nivelin e 11 për qind. Por ashtu si edhe më parë, në llogaritjet e veta qeveria i referohet INSTAT-it, i cili në studimet e veta vazhdon të marrë për bazë vetëm papunësinë në qytet, duke e konsideruar popullsinë që jeton në fshat si tërësisht të punësuar për shkak se e ka pajisur atë me tokë. Ndërkohë që kryeministri ka servirur si një sukses të jashtëzakonshëm rritjen e pagave të punonjësve në sektorin publik dhe kryesisht në arsim dhe shëndetësi. Megjithatë ai i është shmangur krahasimit të rritjes së pagave të punonjësve buxhetorë me një vit më parë, por edhe kësaj radhe ka kërkuar t’i referohet pagave në kohën e qeverisjes socialiste. “Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon për 800 mijë familje shqiptare që këtë korrik morën nga 35-90 për qind paga dhe pensione më të larta, krahasuar me vitin 2005”, - theksoi Berisha, por duke harruar rritjen katastrofike të çmimeve deri në dyfishimin e tyre. Kështu sipas të dhënave të marra nga studime të kryera nga institucione jo qeveritare rezulton se për 2008 kundrejt korrikut 2007 të punësuarit, të papunët, invalidët dhe pensionistët shqiptarë shpenzojnë 30 % më shumë për një kg bukë, 40 % më shumë se për një kg vaj, 25 % më shumë për një kilovat energji elektrike. Ndërkohë për sa i përket pagave të mësuesve shqiptarë rezulton se ata megjithëse kanë pësuar një rritje të konsiderueshme janë të detyruar që për shkak të sistemit të taksave të paguajnë 6 deri në 8 herë më shumë tatim mbi pagën se në korrik 2005. Në krahasim pikërisht me periudhën e qeverisjes socialiste, ata tashmë nuk e marrin më pagën e 13-të, ndërsa paga e tyre neto në tre vjet nuk është rritur më shumë se 40 %.

Kryeministri Berisha ka vlerësuar 7 muajt e shkuar si tepër të suksesshme edhe përsa i përket ritmit të rritjes së pensioneve, si atyre në qytet ashtu edhe në fshat. Por edhe në këtë rast kreu i qeverisë i është shmangur analizës krahasuese me rritjen e çmimeve jo vetëm të produkteve ushqimore, por edhe në medikamente, energji, etj. Sipas tij, në periudhën janar-korrik 2008, pensionet në fshat u rritën me 15 për qind, kurse ato në qytet u rritën me 10 për qind. Ndërkohë që nga të dhëna të tjera rezulton se për 170 mijë pensionistë të qytetit në 3 vjet të ardhurat janë rritur 35 %, ndërsa për 110 mijë të tjerë janë rritur vetëm 20 % duke shënuar rritjen më të ulët në këta 17 vjet. Në korrik 2008 kundrejt një viti më parë, megjithëse shqiptarët paguajnë 30 % më shumë TVSH për çdo litër naftë të konsumuar, 25 % më shumë TVSH për çdo kilovat orë të konsumuar, 30 % më shumë TVSH për çdo kg miell të importuar, plani është realizuar vetëm 22 % më shumë. Një tjetër fushë ku qeveria duket se ka dështuar është edhe ajo e investimeve publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›