E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Të mos hiqet penalizimi për shpifjen

09/02/2012  Shpifja-fyerja, shtyhen të hënën ndryshimet në Kodin Civil dhe Penal

PD, Paloka: KiE-ja kërkon heqjen nga Kodi Penal dhe kalimin në atë Civil

Është shtyrë për të hënën e ardhshme miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal dhe Civil lidhur me akuzën e shpifjes dhe fyerjes. Sipas ndryshimeve të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, kërkohet që akuza e shpifjes të kalohet nga Penali në Kodin Civil, duke parashikuar vetëm gjobë si penalizim. Ndërsa opozita kërkoi dje që të mos ndërhyhet për këtë çështje në Kodin Penal, duke u shprehur që Kodi të mos preket, por thjesht të hiqet vendimi me burg. “Ne jemi për depenalizimin e shpifjes dhe të fyerjes, që do të thotë se jemi për mbajtjen në Kodin Penal të dispozitave të shpifjes dhe fyerjes, duke hequr dënimin me heqje lirie, duke vendosur dënimin me gjobë, natyrisht duke përcaktuar një tavan të pranueshëm në kushtet shqiptare. Që të jem i hapur, këtu nuk është çështja si t’ia themi. Mbi këtë bazë kemi ndërtuar gjithë arsyetimin edhe për përgjegjësinë civile”, – deklaroi dje deputeti i PS-së, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ndërsa deputeti demokrat Edi Paloka ritheksoi mendimin e grupit të deputetëve të ngritur për këtë çështje se akuza e shpifjes duhet të trajtohet si çështje civile dhe të hiqet nga procedurat penale. “Ne kemi, me sa dëgjova dhe relatoren, të njëjtin qëndrim, por nga Xhafaj dëgjova se PS-ja ishte për ta mbajtur në Kodin Penal, por të hiqet dënimi me burg. Edhe kërkesa e Këshillit të Europës flet tepër qartë, mendoj se nuk na sjell ndonjë dëm shumë të madh kalimi nga Kodi Penal në atë Civil. Nuk e di pse duhet të shohim një variant tjetër për ta mbajtur në Kodin Penal”, - tha Paloka. Menjëherë pas mendimit të Palokës relatorja socialiste për ndryshimet në Kodin penal e atë Civil, Vasilika Hysi, sqaroi të pranishmit në mbledhjen e djeshme të komisionit se në lidhje me termat për dekriminalizimin dhe depenalizimin. “Depenalizim do të thotë se janë vepra penale, por hiqet dënimi me burgim. Ndërsa dekriminalizimi është të hiqen fare nga Kodi Penal dhe të trajtohen nga Kodi Civil. Në fjalën time thash se do të flas vetëm për këtë ligj. Por për mua ishte e logjikshme që trajtimi të fillonte mbi Kodin Penal. Për aq kohë sa s’kemi përcaktuar nëse do të bëjmë depenalizim apo dekriminalizim, do t’i lëmë në Kodin Penal dhe do të shpëtojmë nga përgjegjësia gazetarët. Duhet t’i rikthehemi këtij ligji sapo të shohim ndryshimet në Kodin Penal. Duhet t’i shohim së bashku”, - sqaroi Hysi. Në përfundim Komisioni i Ligjeve vendosi t’i shqyrtojë dy kodet nen për nen të hënën e ardhshme, më 13 shkurt. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve ishin edhe Avokati i Popullit Igli Totozani dhe kreu i Institutit të Medies Remzi Lani, të cilët shprehën mendimet e tyre për ndryshimet e propozuara nga socialistët.

Batutat te Ligjet

Pas leximit të relacionit bashkëngjitur projektligjit për ndryshimet e reja në Kodin Civil nga ana e deputetes socialiste Vasilika Hysi, kreu i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, ia jep fjalën kreut të Institutit të Medies, Remzi Lanit.

Lani – Kanë qenë 22 deputetë që më 2005-n kanë hartuar draftin e parë sa i përket amendimeve ligjore për shpifjen. Por nga përvoja e atëhershme e deri tani Instituti vëren se ka nevojë të bëhen ndryshime, pasi legjislacioni ynë është i vjetruar. Disa ligje nuk hyjnë më në punë. Duke iu referuar statistikave europiane, vendi ynë së bashku me Greqinë kanë legjislacionin më të dobët në Europë. Duke iu referuar përdorimit të teknologjisë së informacionit, ku këtu mund të përfshihet dhe përdorimi i rrjeteve sociale, siç është “Fejsbuku”...

Fatos Hoxha - Edhe “Tuiter”.

Dashnor Sula i drejtohet Lanit – Ke harruar edhe “Tuiterin”, është fjala më e fundit e teknologjisë (duke ironizuar reagimet e kreut të PS-së, që përdor këtë faqe). Batutat e Sulës shoqërohen me të qeshura nga të pranishmit në mbledhje.

Bashkim Fino – S’është faji ynë që Saliu nuk di t’i përdorë këto rrjete.

Deputetët e PD-së – Po S’e thamë me të keq, vetëm donim të shtonim diçka që na u duk e mangët në analizën e Lanit.

Bashkim Fino – Mua s’më bëni gjë jo, por duhet të respektoni zotin Lani si ftuar i këtij komisioni, pasi me fjalët tuaja qeshi zëvendësministrja, kryetari i komisionit. - Duke iu drejtuar nga deputeti i PD-së Viktor Gumi, Fino thotë: - Kështu që ta lëmë të flasë zotin Lani e t’i lëmë komentet.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, pas mendimeve të propozuara nga Avokati i Popullit Igli Totozani, i fton përfaqësuesit e Komisionit të Ligjeve të diskojnë mbi ndryshimet ligjore në Kodin Civil, pas propozimeve të bëra nga deputetët e opozitës në këtë komision. “në disktimin e lirë do të doja të ftoja zotin Sajmir Tahiri të shprehet mbi amendimet e paraqitura deri tani nga përfaqësuesit e institucioneve.

Sajmir Tahiri – Duke qenë se janë dhe përfaqësuesit e tjerë këtu, dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë, unë s’mund të flas mbi këtë çështje, duke qenë se kam dhe konflikt interesi. Pasi aktualisht që po flasim unë kam një gjyq të hapur në gjykatën e Tiranës me Agron Kuliqin, ndaj nuk flas dot...

Fatos Hoxha – Po ne nuk e dinim këtë. Unë them që ta kalojmë që sot projektligjin. (I drejtohet Rusmalit.) O zoti kryetar, do ta miratojmë që sot ligjin për shpifjen, meqë paska problem zoti Tahiri?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›