PS: Të prishen kontratat me firmat e minierave
Pas aksidenteve të njëpasnjëhsme në minierat shqiptare ku kanë humbur jetën dhjetra minatorë, Partia Socialiste ka reaguar duke kërkuar marrjen e masave urgjente. Në një prononcim për shtyp, nënsekretari për Programin Politik të PS-së, Ilir Beqja është shprehur se: “Situata është tejet kritike në këto miniera ndaj duhen marrë masa radikale për të mbyllur shpellat e vdekjes, deri sa të garantohet jeta e atyre që punojnë në këto galeri. Të sigurohet ndërkohë shpërblimi i minatorëve gjatë kohës së nevojshme që do të bëhet garantimi i jetës brenda këtyre minierave. Duhet menjëherë të prishen kontratat e vdekjes me firmat spekullante dhe të zbatohen masa të ashpra ligjore për shfrytëzuesit e palicencuar”.
“Vdekja e minatorit Mehmet Rama është në vazhdën e vdekjeve të paralajmëruara. Nga dje, një familje humbi kryefamiljarin dhe fëmijët nuk e kanë më babain e tyre. Në emer të PS, i shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit” – ka vazhduar Beqja.
Sipas Beqës, qeveria është përgjegjëse për situatën e rëndë të krijuar në minierat e Bulqizës dhe Batrës ku çdo muaj humb jetën një minator. Ministria përkatëse duhet të kishte marrë me kohë përgjegjësitë politike. Nuk mund të vazhdohet me konkluzionet cinike që fajtor ishte minatori. Nuk mund të lehtësohet shpirti me transferimin e përgjegjësisë tek Prokuroria. Para kësaj shurdhërie vrasëse të qeverisë, Partia Socialiste nuk mund të heshtë.
“Qeveria, për ironi, nuk mund të vazhdojë të mburret me rritjen e të ardhurave nga eksporti i kromit. Kjo pasuri kombëtare që duhet të ishte një burim mirëqenieje, po shpërdorohet bashkë me jetën e atyre që punojnë aty” – përfundoi Beqja.