E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Të rifillojë reforma në sistemin e drejtësisë

 

“Kemi qenë të hapur dhe ftues, që ky pakt t’i nënshtrohet një diskutimi sa më të gjerë publik”

Dy partitë e mëdha, PS dhe PD janë të gatshme që të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e plotë të reformës në sistemin e drejtësisë. Menjëherë pas deklaratës së dy ditëve më parë të Ambasadorit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, për domosdoshmërinë e vijimit të reformimit të sistemit të drejtësisë, Partia Socialiste ka gjetur rastin që të shprehë edhe një herë gatishmërinë, për të dhënë kontributin e saj politik për vijimin e kësaj reforme që nisi disa muaj më parë, në prag të Samitit të NATO-s në Bukuresht. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, në një dalje të posaçme për mediat, pasi ka përshëndetur qëndrimin e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje ka kërkuar rifillimin sa më parë të punës parlamentare, për të bërë të mundur konkretizimin e atij vullneti që forcat politike kanë shprehur shpesh në publik. Për këtë ajo ka shprehur nevojën e rimarrjes në shqyrtim nga Parlamenti, të paktit të drejtësisë që PS i ka propozuar klasës politike gati 3 muaj më parë. “PS e ka vlerësuar çështjen e reformës në drejtësi si një nga reformat themelore, për shkak të peshës që ka në vendosjen e shtetit ligjor, si një proces që kushtëzon të sotmen e të nesërmen e gjithkujt nga ne”.

Ky ka qenë dhe motivi i nismës dhe gjithë angazhimit tonë konkret për reformën në drejtësi. Partia Socialiste, muaj më parë, ka vënë në dispozicion të Parlamentit dhe natyrisht, të të gjithë aktorëve të tjerë të interesuar, dokumentin e Paktit për Reformën në Drejtësi. E kemi bërë këtë, duke qenë të hapur dhe ftues që ky pakt t’i nënshtrohet një diskutimi sa më të gjerë publik”,- u shpreh Leskaj. Duke e konsideruar këtë reformë integrale dhe shumë komplekse, PS është shprehur se ajo kërkon punë dhe përfshirje sa më të gjerë. Por ndryshe nga ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor, i cili u diskutua vetëm në Komisionin parlamentar të Ligjeve, socialistët vlerësojnë se pjesët e tjera të kësaj reforme duhet të diskutohen në komisionin e posaçëm parlamentar të ngritur për këtë qëllim. “Ne gjykojmë se nuk ka kohë për të humbur ndaj nxisim Nënkomisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi, i ngritur me vendim të Kuvendit, me propozim të Partisë Socialiste, të fillojë sa më parë nga puna”,- u shpreh Leskaj. Ndërkohë që, nga ana tjetër, edhe numri një i deputetëve demokratë, Astrit Patozi rikonfirmoi dje se PD mbetet e vendosur për t’i shkuar deri në fund të gjitha reformave të mëdha për të cilat ka nevojë vendi, ku, veçanërisht, vend të rëndësishëm zë reforma në drejtësi. “Shprehemi të gatshëm për të nisur nga puna menjëherë, me Nënkomisionin e Reformës në Drejtësi, sepse nuk kemi menduar për asnjë çast, që reforma në drejtësi është vetëm miratimi i një ligji, sado i rëndësishëm qoftë ky”, - u shpreh Patozi. Por nisur nga debati i ditëve të fundit, lidhur me imunitetin e deputetit, Patozi ka theksuar se do të ishte në nderin e këtij Parlamenti që ta niste këtë punë të dytë, pikërisht me këtë çështje. Ndërkohë, PS ka kushtëzuar heqjen e imunitetit të deputetit, me realizimin e të gjithë reformave që përmban pakti për drejtësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›