E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo liberalizim pa konkurrencë të universiteteve

 

ELBASAN - Edi Rama është ndalur në Elbasan, duke zhvilluar një takim për arsimin, nën temën “Arsimi në shekullin e ri”. I shoqëruar nga emra të njohur të PS-së, si dhe me pjesëmarrjen e qindra mësuesve, Rama ka renditur disa nga problemet e arsimit shqiptar të evidentuar edhe gjatë fazës së parë të “Dialogut me Shqipërinë”. Rama është ndalur në disa shqetësime që kanë përfshirë sot shqiptarët, që sipas tij, vijnë nga mungesa e përgjegjësisë së qeverisjes. “Ka plot ndryshime negative në Shqipëri, që fillojnë nga katastrofa ekologjike, kolapsi arsimor e shëndetësor e kështu me radhë, që janë në masën dërrmuese, rezultat i mungesës së përgjegjshmërisë dhe aftësisë së qeverisë”, - u shpreh Rama. Duke u ndalur tek diskutimi i temës së ditës, pra problemet e arsimit në vend dhe sidomos ato në sistemin e lartë, Rama është shprehur kundra liberalizimit total dhe pa konkurrencë të universiteteve. Në analizën e tij, për këtë sistem, kreu i PS-së ka vlerësuar se hapja e dyerve të universiteteve për të pranuar studentë pa konkurrencë, i ka shndërruar ato në institucione që shpërndajnë diploma pa vlerë.

“Më lejoni të them, që një nga arsyet themelore të kësaj gjendjeje sociale, të kësaj papunësie kronike, është problemi themelor i arsimit të lartë, që ka të bëjë me liberalizimin e Universiteteve, të cilët nga serbator të pajisjes me dije jane kthyer në fabrika diplomash pa vlerë, ashtu sikundër do të nënvizoj faktin se nuk ka liberalizim pa konkurrencë”, - theksoi kryesocialisti Rama. Ai nuk ka ngurruar ta cilësojë liberalizimin pa konkurrencë, edhe si shfaqje të kolektivizimit, gjë, që sipas tij nuk sjell zhvillim por parazitizëm. “Liberalizimi pa konkurrencë, është kolektivizim dhe kolektivizimi është parazitizëm i cili nuk i lejon ata që janë më të talentuar, ata që janë më të vullnetshëm, ata që janë më të etur për dije e për sukses që të dallohen për kontributin dhe në fund, të shpërblejnë investimin e familjeve të tyre”, - u shpreh Rama. Universitetet, sipas tij, nuk mund të nxjerrin më kontingjente të rinjsh, që me arsimimin e dobët që kanë marrë për shkak të masivizimit, nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë tregut të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›