PS: Vendimi për barnat, tregues i gropës së buxhetit

Partia Socialiste ka reaguar për vendimin e qeverisë për të futur barnat në skemën e TVSH-së duke e cilësuar këtë vendim si tregues të gropës së madhe në buxhet që sipas saj ka shkaktuar Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Olta Xhaçka ka theksuar se ky vendim tregon mungesën e moralit dhe korrupsionit që ka mbërthyer sot oborrin e Sali Berishës.
“Futja e ilaçeve në skemën e TVSH do të rëndojë edhe më tej shtresat në nevojë të shoqërisë shqiptare, siç janë pensionistët, të papunët dhe dhjetëra mijëra familje shqiptare që vuajnë pasojat e krizës së rëndë ekonomike ku është zhytur vendi. Ky është një dështim i Sali Berishës pasojat e të cilit nuk do t`i vuajë Sali Berisha dhe oborri i tij, por vetëm qytetarët e thjeshtë të këtij vendi” theksoi Xhaçka
Sipas saj një pensionist do t`i paguajë tani më shtrenjtë ilaçet sepse Sali Berisha ka vendosur t`i taksojë ato si të ishin mallra të zakonshme konsumi.
“Çdo i sëmurë sot në Shqipëri, përveç kostos së korrupsionit në shëndetësi, do të duhet të paguajë dhe haraçin për ilaçet që po u bën dhuratë për festat e fundvitit Sali Berisha” shtoi më tej Xhaçka.
Më tej Xhaçka ka theksuar se Sali Berisha ka dështuar të ndalojë një abuzim e korrupsion galopant në sistemin e shëndetësisë edhe pse ai ka qenë në dijeni të kësaj situate që në vitin 2007.
“Është e turpshme që qeveria të deklarojë se e paska ditur prej katër vjetësh se grosistët e ilaçeve abuzojnë me çmimet e ilaçeve në kurriz të qytetarëve, por nuk ka marrë asnjë masë. Ky pohim e bën Sali Berishën bashkëfajtor në abuzimin me qytetarët, e sidomos me shtresat më në nevojë në Shqipëri, të cilat i kanë paguar ilaçet 25 deri 60 për qind më shtrenjtë se në vendet e BE” shtoi Xhaçka.