E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Vetëm me protesta zgjidhet kriza

Dje në emër të kësaj partie folën deputetët Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi

PS vazhdon të atakojë vendimin e marrë nga mazhoranca në Parlament për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet pa votat e opozitës. Ndërkohë kjo parti po tenton të ngrejë vetëdijen e bazës së thjeshtë, duke bërë thirrje për protesta. Dje në emër të kësaj partie folën deputetët Damian Gjiknuri dhe Blendi Klosi. Gjiknuri duke folur për komisionin hetimor tha se ky akt provokativ ka rënduar më thellë krizën politike në vend, pasi vret çdo mundësi kompromisi për zgjidhjen e krizës. Sipas tij gjetja e kompromisit bëhet e pamundur për aq kohë sa mazhoranca, jo vetëm ndërmerr veprime për ngritje pseudo komisionesh hetimore si ai i ditës së premte, por edhe përpiqet me kokëfortësi dhe pa asnjë sens logjike t'u mbushë mendjen partnerëve ndërkombëtarë se votimet politike të njëanshme mund të quhen kompromis. Ndërsa Blendi Klosi foli për një krizë të gjithanshme dhe jo vetëm politike. Ai tha se në këto kushte, në mungesë të një partneri të interesuar në dialog e kompromis, në mungesë të një partneri me minimumin e kulturës demokratike evropiane, rruga e vetme që i mbetet opozitës shqiptare për përmbushjen e të drejtës së saj kushtetuese për transparencë janë protestat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›