E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u la jashtë qeverisë avokati Spartak Ngjela?

Pjesë nga libri i Zogajt "Të gjithë nëpër vendet e tyre". Vazhdon rrëfimi i divergjencave të para në gjirin e shumicës së re qeverisëse


Qeveria më e mirë në pikëpamje të përbërjes është ajo që befason më pak. Që do të thotë se ministrat, pavarësisht se i përzgjedh kryeministri, janë pak a shumë ata që presin zgjedhësit, militantët, forumet partiake përkatëse, vetë mjedisi ku janë ushtruar e kanë kontribuar këta politikanë...


Kam folur gjithmonë, që prej fillimit, për nevojën e një qeverie më përfaqësuese, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale. Nuk kam përmendur emra, sepse nuk më shkonte. Por, edhe po të kisha sigurinë dhe paturpësinë për të folur me emra, nuk do ta ndjeja të nevojshme, sa kohë që e merrja me mend se kryeministri më kuptonte. Unë, nga pozita e deputetit të shumicës, atij doja t'i flisja, jo publikut.


As sot, edhe pse mosmirënjohja e zotit Berisha më ka çliruar nga kufizimet e natyrës politike në lidhje me shprehjen e gjykimeve për punën e tij, mos prisni nga unë të them se kush nuk duhej të ishte në qeverinë që erdhi në verën e vitit 2005 pas një kalvari tetëvjeçar të PD-së në opozitë. Koha ka folur e flet me drejt se unë për këtë temë.
Nganjëherë, ata që mbesin jashtë, intrigojnë me shumë se ata që thirren brenda.


Kështu, ditën kur u shpall qeveria e re, krejt të befasuar, unë dhe mijëra të tjerë si unë, vunë re se Spartak Ngjela nuk ishte thirrur në postin e Ministrit të Drejtësisë.


Mosqenia e tij në qeveri, në atë post, kishte jehonën e një anomalie të veçantë. Saora, Spartaku, miqtë dhe të ngjashmit e tij në Partinë Demokratike, u përballen me të pamundurën për të vazhduar, për të bërë karrierë.


Ç'mund të bënin me shumë për t'u bërë ministra, ndërkohë që ishin parakaluar nga politikanë që s'kishin bërë asnjë betejë politike serioze në jetën e tyre? Ç'mund të bënin me shumë, përveçse të zhbënin atë që kishin bërë? Po a kthehet dot prapa koha, a kthehen dot kontributet?
Në këtë labirint, arsyeja përplaset pa rrugëdalje.


Pyetja plot habi dhe pa përgjigj "përse nuk është Spartaku" e ktheu vëmendjen e të interesuarve nga ministri i porsaemëruar Aldo Bumçi. Ishte diçka gati-gati instiktive ky kthim i vëmendjes drejt tij si për t'i gjetur një shpjegim a për t'u kapur pas diçkaje në shkretëtirën e arsyeve që rrethonin rastin "Ngjela".


Sepse vetëm madhështia apo talenti i rrallë i Bumçit mund të përligjte lënien jashtë të Ngjelës. Por në këtë pikë, ministri i ri nuk e ngushëllonte habinë.


Spartaku ishte lënë jashtë, jo sepse Berishës nuk i dilnin llogaritë. Në pikëpamje të llogarive dhe raporteve, Berisha e kishte pasur më të vështirë ta linte jashtë se sa ta përfshinte.


Por nuk kishte dashur.


Ngjela i ishte dashur për të fituar bashkë, por jo për të punuar bashkë.
Spartak Ngjela kishte një dekadë a më shumë që përpiqej dhe përgatitej pranë dhe brenda PD-së. Po t'i shtojmë kësaj dekade edhe pesëmbëdhjetë vitet e burgosjes së tij nga regjimi komunist, bëheshin njëzet e pesë vjet që ky politikan karriere shërbente dhe priste çastin e tij. Më gjatë se askush.


Me kartën e papërlyer të opozitarit të përjetshëm, sikurse edhe me dhuntitë e veçanta prej oratori-jurist, historiani, politologu dhe esteti, ai kishte dalë kundër rrymës dhe kishte mbrojtur legalitetin e disa veprimeve të ish-Presidentit të Republikës në ngjarjet e vitit 1997-të.


Gjatë viteve të vështira në opozitë, njerëzit e kishin parë Spartak Ngjelën pothuajse gjithnjë në krahun e djathtë të Berishës. Tandemi i tyre politik ishte i ri dhe i veçantë.


Ata kombinonin si të ngjashëm në pikëpamje të guximit në përballjen me kundërshtarët dhe si të ndryshëm në pikëpamje të sjelljes, mënyrës së të menduarit, fjalorit, sintaksës, kantilenës.


Berisha kishte karizmën e liderit që lëviz turmat dhe ngre peshë zemrat. Ngjela kishte elegancën dhe një oratori të vetën, të papërsëritshme, që merrte ngjyrë dhe dritë nga botëkuptimi i tij prej njeriu të lirë. Berisha kishte zbritur në politikë nga një ambicie shelbuese për të bërë Shqipërinë. Ngjela kishte ardhur nga krenaria kantiane me ambicien për të bërë shqiptarin.


Megjithëse jo në masa të njëjta, këta dy politikanë plotësonin njëri-tjetrin. Kurrë nuk kishte ndodhur që Berisha të mbante kaq afër dikë që mendonte me kokën e vet, që e shprehte besnikërinë nëpërmjet respektit dhe luajalitetin nëpërmjet diskutimit të lirë.


Jo se në kreun e kësaj partie nuk kishte pasur edhe më parë individualitete si zoti Ngjela, por Berisha ishte kujdesur t'i mbante larg, ose t'i përjashtonte fare, ndërkohë që kishte bërë të kundërtën me zotin Ngjela, duke respektuar e pëlqyer mëvetësinë e tij.


Prania e zotit Ngjela me këtë status në stafin e ngushtë të Berishës, artikulimi prej i tij i berishizmit si kauzë politike, pa rënë në epigonizëm, madje duke manifestuar vetveten politikisht dhe intelektualisht - e gjithë kjo ka qenë reklama më e madhe që i është bërë ndonjëherë "Berishës ndryshe", për pasojë, e gjitha kjo ka shërbyer si sinjali i parë i fuqishëm për kthimin në PD të atyre që kishin ikur, të atyre që ishin ftohur apo të një fluksi të rinjsh që po afirmoheshin si fasha e re e liberaldemokracisë në vend.


Ngjela ka njoftuar i pari nga kështjella e PD-së se këtu nuk është më si më parë, pësimet janë bërë mësime, nevojat e kanë ndryshuar kryetarin, ka hapësirë për të shprehur gjithsekush aftësitë dhe personalitetin e vet, ka mundësi për të bërë gjithkush një karrierë të bazuar në meritë.


Ndërkaq, me sjelljen e tij, Berisha i jepte gjithnjë e më shumë të drejtë kasnecit të hapjes.
Ata ishin një dyshe që ka feksur në kohëra të papërsëritshme, kur dukej se ora e opozitës shqiptare kishte gjetur de Golin dhe Malronë e vet.


Kjo paralele çalon si të gjitha paralelet, madje ca me shumë, jo vetëm për shkak të kontrastit midis Francës dhe Shqipërisë, por edhe për faktin tjetër, akoma më thelbësor, që na tregon se De Goli dhe Malroja ishin një çift pushtetarësh, çfarë nuk është e njëjta gjë si të jesh në opozitë.


Lideri i opozitës ua ka nevojën të gjithëve.


Natyra e tij zbulohet më mirë kur vjen në pushtet. Në pushtet provohet sensi i tij i lirisë dhe i drejtësisë, prirja dhe aftësitë e tij për të ndarë pushtetin me ata me të cilët e ka fituar, kuraja e tij për të mbajtur në kabinet ministra dhe bashkëpunëtorë me personalitet të spikatur.


De Goli që humb në pushtet Malronë e tij nuk është më de Gol, sikurse Malroja që do të transformohej në buratino nuk do të ishte më Malro.


Të gjitha këto janë të vërteta, por vetëm dyshuesit e pashërueshëm mund të mendonin se, nëse rivinte në pushtet, Berisha do t'ia bënte si herën e parë, kësaj radhe me Ngjelën.

E bëri.
Ishte e paparashikueshme, por e bëri.


Në zgjedhjet lokale të vitit 2003, teksa rrezikonte të mos gjente një kandidat të denjë nga partia e tij për ta hedhur në garën për bashkinë e Tiranës, Spartak Ngjela nuk qe menduar dy herë për t'i thënë "po" Berishës, kur në çastin e fundit ky e ftoi të linte mandatin e deputetit dhe të rivalizonte Edi Ramën, njeriun me aureolën e kryebashkiakut me të suksesshëm në historinë e kryeqytetit dhe mbarë Shqipërisë.


Sfida ishte e vështirë jo vetëm për këtë shkak. Ngjelën e lidhte një miqësi e vjetër me Ramën.


Një dekadë më parë, ata kishin matur e shmatur netëve rrugët e Tiranës, duke u tallur me gjithë botën me humorin e tyre të pashtershëm. Nuk është e lehtë të ndërtohet një diodë elektorale midis dy njerëzve që kanë qeshur aq shumë me njëri tjetrin dikur.


Ngjela ishte i vetëdijshëm për këtë handikap, sikurse ishte i vetëdijshëm edhe për përparësitë e mëdha të kryebashkiakut në detyrë në lidhje me mjetet e fushatës.


Të gjithë këto arsye nuk mund të mos i hidhte në peshoren e një vendimmarrjeje të rëndësishme politike. Por kur tha "po", Ngjela kishte parasysh pasojat e rënda të kapitullimit pa betejë të partisë së tij në përballjen me të rëndësishme me kundërshtarët socialistë.


Rrethanat e kishin thirrur në skenë t'i shpëtonte nderin PD-së dhe Berishës, të jepte kushtrimin për gjithë demokratët, duke i dalë përballë me një mendësi sfidanti dhe fitimtari atij që konsiderohej nga socialistët si model i pakonkurrueshëm suksesi.


Nuk mund të harrohet paraqitja e tij e parë në kostumin e kandidatit për kryetar bashkie në Pallatin e Kongreseve me 30 gusht 2003, para një salle te mbushur cep me cep me militantë e politikanë të opozitës, që brohorisnin emrin e tij, por edhe i qanin hallin: ku do të gjente Ngjela alternativë për t'u shquar nga më i shquari, nga Edi Rama, që thoshte se kishte kapur arritjet e mandatit të dytë me realizimet e mandatit të pare!


Por, o perëndi! Atje në skenën madhështore të Pallatit të Kongreseve, Ngjela ka pamjen e një Paridi në tempullin e fitores.


Në qoftë se nuk do t'u sjellë demokratëve të sfilitur fitoren, gjysma e së keqes që së paku po u ofron pamjen e fitimtarit, që ata, prej gjashtë-shtatë vitesh në opozitë, e kanë harruar.


Por është si një ligj: aty ku shfaqet fitimtari, lajmërohet edhe fitorja. Është shumë e veçantë kjo fitore, sepse nuk do të prodhojë fitimtarë pasi të vijë, por do të lindë prej fitimtarëve, do të jetë fitorja e fitimtarëve. Do të jetë mirë.
Zonja dhe zotërinj!


Fjala e Ngjelës zgjon ndërgjegje dhe instinkte, elektrizon, habit. Mund të them se magjeps deri edhe një guru të dyshimit si Mero Bazen që thotë: në mos ketë herë, radhën tjetër do të fitojmë me siguri!


E kujt tjetër, përveçse e fitores mund të jetë ajo fytyrë e shndritshme, ku shket një mendim dhe një projekt politik që nuk është artikuluar prej kohësh kaq qartë, kaq pastër, kaq gjallë, kaq thellë.


Është alternativa e qendrës së djathtë, që mbështetet në çudibërjen tregut të lirë, në fuqinë e Ligjit si monarku i vetëm në një vend të lirë, në vlerën e mendjes që është pronë!


Salla është ngritur në këmbë dhe po duartroket sikur po del nga një jerm i pakuptueshëm.


Ah, duke i goditur me ngjyra, fasada dhe propagandë, socialistët i kanë ngushtuar mendjet e njerëzve, edhe ato të demokratëve, që mendojnë se pushteti nuk është gjë tjetër veçse t'i marrësh karrigen dhe stilopalsin atij që e ka në dorë dhe të vijosh atë që bën ai.


Por nuk qenka krejt kështu. Ka Tjetër! Ka Ndryshe! Ka shpresë, o zot, për të dalë nga këto labirinte ku na ka hedhur propaganda.


Kam shkruar gjatë për atë garë në librin tim "Finalja", promovimi i të cilit u bë në Tiranë dhe mandej edhe në Lezhë, në prag të fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.


Berisha erdhi në këtë promovim të dytë për të paralajmëruar kandidimin tim në qytetin e Lezhës. Ai foli me superlativa për librin, për autorin dhe për Ngjelën, si një nga personazhet me të dashur të librit.


Ato ditë kishte ndërruar jetë Papa Gjon Pali i Dytë. Spartak Ngjela ishte nga të rrallët shqiptarë që ishte nisur nga Shqipëria për t'u bashkuar me zinë e botës në ceremoninë mortore të organizuar nga shteti i Vatikanit në sheshin e shën Pjetrit.


Në kthim, Henri Çili e kishte informuar për lavdërimet e mëdha që na kishte bërë Berisha në Lezhë. Fytyra e tij ishte mbuluar sakaq nga drita e një mendimi të papritur:
"Ashtu? Pse nuk thua se na paska hequr vizë"!
Ishte një profeci e shakasë.


(vijon në numrin e nesërm)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›