E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami në Gjeorgji, si raportues i Këshillit të Evropës

PS i hoqi emrin nga delegacioni në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

Deputeti socialist, Kastriot Islami, ishte në një vizitë disaditore në Gjeorgji si pjesë e grupit të monitoruesve të Këshillit të Evropës për situatën politike atje. Megjithëse, Partia Socialiste e hoqi emrin e tij nga delegacioni parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, duket se detyrën që kishte si raportues për Gjeorgjinë do të vazhdojë ta bëjë dhe për ca kohë. Mësohet se sipas rregullave, me të cilat operon KiE, Islami nuk mund të zëvendësohet të paktën dhe për një vit, edhe pse ai nuk është më pjesë përbërëse e asamblesë si deputet i Shqipërisë. Edi Rama, me të cilin Islami ka mosmarrëveshje në parti, u hakmor duke e zëvendësuar me një deputete të re, Olta Xhaçkën. Deri në dhjetor Islami do të vazhdojë të jetë përfaqësues i KiE-së për Gjeorgjinë, detyrë që ai e ka mbajtur më parë kur ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar. Gjatë vizitës monitoruese, siç mësohet nga njoftimi zyrtar i KiE-së, dy raportuesit, Matyas Eorsi nga Hungaria dhe Kastriot Islami nga Shqipëria gjatë qëndrimit në Tbilisi kishin si detyrë vrojtimin e ecurisë së reformës kushtetuese dhe zgjedhore, përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, lirinë e mediave dhe çështjet e minoriteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›