E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: Ndihem i keqardhur. Kriza nuk u zgjidh

Sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, ngërçi politik duhet të zgjidhet jo sipas interesave partiake


TIRANË - Kriza politike, e cila prej muajsh nuk po gjen zgjidhje midis mazhorancës dhe opozitës ka shqetësuar së tepërmi komunitetin ndërkombëtar.


Ky i fundit ka ndërmarrë një seri thirrjesh ndaj politikës shqiptare, duke i kërkuar asaj që të zgjidhë sa më parë ngërçin politik duke i parashtruar edhe pasojat që do të ketë vazhdimi i tij. Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ashtu si edhe në qëndrimet e tjera ka kërkuar dje zgjidhjen sa më parë të krizës politike.


E gjitha kjo situatë, sipas tij, duhet të zgjidhet përmes një kompromisi brenda Parlamentit. Këtë apel Xhon Uidhers e ka lëshuar përmes një njoftimi për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë, duke kërkuar dhënien fund të kësaj situate politike nga lidershipi politik shqiptar.


Gjithashtu, në këtë deklaratë, Uidhers kërkon që marrëveshja midis forcave kryesore politike të arrihet, duke gjetur pikat e takimit midis tyre dhe jo nëpërmjet interesave partiake. Ai ka shfaqur edhe shqetësimin se seancat plenare të deritanishme, veçanërisht ajo e javës së kaluar që nuk prodhoi zgjidhjen e situatës politike, por vetëm përkeqësimin e saj.


Uidhers kërkoi që grupimet kryesore politike të mos ndërmarrin aksione politike të njëanshme, siç ishte rasti i ngritjes së komisionit hetimor parlamentar vetëm me votat e shumicës qeverisëse, pasi aksione të tilla politike nuk ndihmojnë as në zgjidhjes e krizës politike dhe as në proceset integruese evropiane të vendit.


"Kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri më sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme. Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit.


Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta dhe jo mbi arritjet partiake. Ndajmë shqetësimet e kolegëve tanë të OSBE-së dhe BE-së që sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm. Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk mund as të zgjidhin ngërçin aktual dhe as të çojnë përpara axhendën euro-atlantike të vendit", - thuhet në deklaratë.


Ashtu si Uidhers edhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian në Shqipëri kanë përforcuar apelin e tyre, duke kërkuar zgjidhjen sa më parë të krizës politike, pasi në të kundërt vendi ynë do të përballet me pasoja shumë të rënda në proceset integruese dhe mund të bëjë hapa mbrapa në raport m Europën.


Ndërkombëtarët kanë këmbëngulur në zgjidhjen e krizës politike përmes aktorëve politikë shqiptarë, në mënyrë që të mënjanohet një zgjidhje nga aktorët e huaj politikë.


Por, deri më tani si mazhoranca dhe opozita nuk lëshojnë nga qëndrimet e tyre kategorike për çështjen e transparencës së zgjedhjeve të kaluara, ku njëra palë kërkon hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive ndërsa tjetra e kundërshton këtë kërkesë, pasi, sipas saj, bie ndesh me vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›