E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: "Xhaferi, tregues i paaftësisë së qeverisë"

Selia rozë reagoi dje pas deklaratës se ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferi, për kthimin e eshtrave të Ismail Qemalit në Shqipëri. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj vuri në dukje se një deklaratë e tillë tregon paaftësinë e ministrit dhe të qeverisë. "Deklarata e Ministrit të Kulturës, Z. Ferdinand Xhaferri, se po negocion për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Ismail Qemalit, është një tjetër tregues i shkallës së lartë të paaftësisë së kësaj qeverie dhe ministrave të saj", u shpreh Imeraj. Sipas opozitës, është e pafalshme për një ministër Kulture, të mos ketë njohuritë më elementare mbi vendndodhjen e eshtrave të njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe është edhe më e pafalshme që një ministër i kësaj qeverie të gënjejë hapur opinionin publik, duke thënë se po negocion personalisht me palën italiane një marrëveshje që nuk mund të negociohet, pasi nuk mund të ekzistojë. "Deklarata e Ferdinand Xhaferrit është një tregues i qartë se drejtimi i Shqipërisë është në dorën e njerëzve plotësisht të paaftë për të drejtuar, por ekspertë për të mashtruar. Ky ministër, nuk mund të jetë kurrsesi ministri i Kulturës i Republikës së Shqipërisë. Niveli kulturor i z. Xhaferri tregon se ai nuk mund të drejtojë këtë institucion dhe nuk mund të përfaqësojë vlerat kulturore dhe historike të Shqipërisë", tha Imeraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›