“PS, aksion politik të dështuar për bllokimin e vizave”
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta në një intervistë televizive për emisionin “Log” të gazetarit Artur Kopani në TVSH
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta deklaron gjatë një interviste në emisionin “Log” të gazetarit Artur Kopani në TVSH, se mazhoranca realizoi e vetme kushtet për liberalizimin e vizave. Meta thotë opozita nuk mori pjesë në asnjë prej diskutimeve dhe miratimeve të ligjeve për vizat dhe integrimin në BE, duke zgjedhur një aksion që shkonte kundër interesit kombëtar. Zëvendëskryeministri garanton se qeveria do të realizojë kushtet e reja dhe qytetarët do lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” vetëm pas pak muajsh. Meta flet edhe për samitin e Sarajevës BE-Ballkani Perëndimor, duke e konsideruar këtë si një takim të suksesshëm për mbështetjen që iu dha Shqipërisë dhe se për herë të parë në një takim të nivelit të lartë ishte edhe Kosova
Samiti i Sarajevës u cilësua i suksesshëm, por nuk munguan dhe kritikat në median ndërkombëtare, në përfundim të tij, për faktin se në të nuk u caktuan data?
Nuk besoj se ka qenë kompetenca e këtij Takimi të Nivelit të Lartë të Sarajevës për të dhënë data të caktuara. Tashmë është bërë e qartë se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i ardhshëm do të vazhdojë më Ballkanin Perëndimor dhe normalisht pritet që vendi i parë i cili do të avancohet është Kroacia, i cili është me një stad më të lartë se vendet e tjera në përmbushjen e kritereve. Megjithatë, është herët për dhënë data, sidomos për vende të tjera sepse atë gjitha janë në faza të ndryshme të procesit. Kam dëgjuar, për shembull se përse nuk u dhanë data për çështjen e vizave. Por natyrisht ky është një zhgënjim i atyre që nuk e kanë të qartë se nuk është çështja në rastin e vizave e një elementi të tillë politik siç ishte samiti për të dhënë afate për vizat. Në këtë rast funksionojnë tre institucione: Komisioni që ka dhënë propozimin dhe që mbështet fuqishëm këtë proces, më pas është Parlamenti Evropian, është dhe Këshilli i vendeve anëtare. Pra është tjetër aspekti procedural dhe ligjor dhe është tjetër aspekti politik. Në këtë drejtim Samiti ishte shumë i rëndësishëm, për mendimin tim, pasi në mënyrë të posaçme i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor në një periudhë krize. është një krizë e përgjithshme, globale, ekonomike, financiare. Ai tërhoqi vëmendje për shumë çështje dhe të mos harrojmë diçka tjetër, ndryshe nga Samiti i Bërnos, këtu ishin të gjithë, ishte Kosova, ishte dhe Serbia. Dhe ky nuk është një sukses i pakët, kemi për të herë të parë një gjithë përfshirje, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor.
Për sa i përket vizave. Nuk do të ketë kushte nga BE? Pra situata politike nuk do të ndikojë?
Nuk e besoj, për arsye se i gjithë ky proces është i ndërtuar mbi një udhërrëfyes konkret, i cili përmban kushte teknike, të ndara në katër blloqe. Ky proces ka nisur para dy vitesh dhe është bërë publik nga zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Franco Frattni. Dhe është një proces që u vjen në ndihmë vendeve që donin këtë lëvizje të lirë të qytetarëve me Bashkimin Evropian, që të dinin ku do të përqendronin energjitë e tyre dhe të dini se çfarë do të duhej të plotësonin konkretisht. Gjithë ky proces është i bazuar mbi parimin e të qenit strikt mbi realizimin e kritereve teknike. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha në një kohë rekord. Janë tre çështje që janë në vazhdim dhe që pas asnjë diskutim do të përfundojnë në javët e ardhshme. Ky është angazhimi i qeverisë, por është dhe propozim i Komisionit. Vet fakti që Komisioni bënë një propozim pozitiv tregon se janë të gjithë kushtet e mundshme, dhe në të vërtetë besoj se do të ecet sipas procedurave të vendeve të tjera. Procesi është teknik pavarësisht zhvillimet politike në Shqipëri, në Bosnjë apo në vende të tjera. Por kjo nuk do të thotë se situata politike duhet të jetë kjo që është
Kemi pasur akuza nga PS se kjo qeveri e ka vonuar këtë proces?
Këto janë akuza krejtësisht politike dhe të pasinqerta. E përmenda dhe pak më parë që procesi i liberalizimit të vizave dhe udhërrëfyesi konkret, pra manuali i të gjitha kushteve teknike dhe ligjore që duhen plotësuar është shpallur vetëm dy vite më parë. Një vit më parë Komisioni ka bërë propozim për të tre vendet e tjera dhe ne kemi qenë në periudhë fushate, të gjithë e kanë pasur të qartë se Shqipëria nuk mund të merrte vizat me vendet e tjera. Pse? Jo vetëm për shkak të një prapambetje historike administrative, por sepse në atë kohë Shqipëria nuk kishte asnjë pasaportë biometrike të prodhuar. Sepse në atë kohë para zgjedhjeve gjithë vëmendje u përqendrua te dokumentet e identitetit, si një kusht i domosdoshëm për të legjitimuar zgjedhjet. Kjo ishte dhe kërkesë e gjithë opozitës të asaj kohe. Natyrisht nuk kishte sesi të bëhej një rekomandim i tillë kur dihej se mes shumë e shumë kushteve që duheshin plotësuar, një kusht themelor që qytetarët shqiptare të udhëtojnë në zonën “Schengen” është që patjetër duhet të kenë një pasaportë biometrike.
Kështu që kjo mendoj se kjo është një akuzë që nuk qëndron. Mua më vjen keq se ky është një proces që u përket të gjithë shqiptarëve, nuk kanë rëndësi se për kë kanë votuar, apo nuk kanë shkuar fare në votime. Pra është një proces madhor, pra është një interes i madh. Opozita duhet të kishte dhënë kontributin e saj gjatë kësaj kohe. Janë miratuar disa ligje, janë miratuar gjithë ato strategji, gjithë ato plane pune. Janë bërë investime të jashtëzakonshme të papara, jo vetëm për sa i takon pasaportave biometrike, por investime të jashtëzakonshme për sa i takon luftës kundër krimit të organizuar. Të jashtëzakonshme për sa i takon kontrollin e kufirit, menaxhimin e integruar të tij dhe natyrisht që në të gjithë këtë proces opozita vetëm se ka akuzuar qeverinë për gjëra që nuk kanë një sens të vërtetë të realizmit dhe nuk kanë marrë përgjegjësinë për të kontribuar në mënyrë pozitive, megjithatë, jemi ende në proces, pavarësisht se ai është pothuajse i mbyllur. Ne po shpresojmë që opozita të jetë pjesë e këtij procesi të paktën tani në etapën e fundit. Unë kam pasur besim që në fillim se do të realizoheshin qëllimet e vëna dhe jam i bindur se brenda këtij viti, të gjithë qytetarët shqiptarë, natyrisht ata që do të kenë pasaportat e reja biometrike, të gjitha ata do të kenë mundësinë që brenda fundit të këtij viti të lëvizin në hapësirën “Schengen”.
A besoni se brenda këtij vitit do kemi edhe një përgjigje pozitive lidhur me marrjen e statusit kandidat?
Besoj se përcaktuese do të jenë ato që kanë bëjnë me plotësimin e detyrimeve që kërkon një status i tillë nga ana e Komisionit Evropian. Dua të them se deri tani procesi i integrimit ka ecur plotësisht sipas kalendarit që ka pasur qeveria që me krijimin e saj. Edhe procesi i liberalizimit të vizave, por dhe procesi që ka të bëjë me aplikimin e vendit me marrjen e statusit të vendit kandidat. Në dhjetor erdhi pyetësori, pas vendimit të marrë nga Ministrat e Jashtëm të BE për të ecur përpara me aplikimin e Shqipërisë, të bërë në prillin e vitit të kaluar dhe më duhet të theksojë se ky vendim u mor pas kërkesës që kishte bërë Shqipëria për tu bërë vend anëtar i BE dhe pas qëndrimit që u mor se kjo kërkesë do të shqyrtohej menjëherë pas raportit final të OSBE/ODIHR. Ky ishte një lloj kushti për të ecur përpara me aplikimin dhe pikërisht pas këtij raporti që u publikua në shtator, në nëntor u mor ky vendim. U paraqit pyetësori nga ana e Komisionit Evropian dhe është bërë një punë e jashtëzakonshme për muaj të tërë, deri në prill të këtij viti, ku u paraqit përgjigja e të gjithë pyetjeve të Pyetësorit nga ana e Kryeministrit Berisha të Komisioneri i Zgjerimit Fule. Njëkohësisht, gjatë kësaj kohe, komisioni ka sjellë disa pyetje shtesë, të cilat janë normale dhe kanë ndodhur në procesin e çdo vendi. Nuk ka asnjë arsye që të mos kemi një vendim pozitiv nga ana e KE. Natyrisht që në këtë rast një kërkesë, sepse ky proces nuk është vetëm i natyrës teknike si vizat, është dhe ajo që ka të bëjë me situatën politike, si një nga kriteret kryesore. Në këtë pikë unë dëshirojë që tu bëjë apel të gjithëve, veçanërisht opozitës, që të kontribuojë pozitivisht sepse integrimi në BE është një qëllim kombëtar për gjithë qytetarët shqiptarë. Në këtë plan, cilido që për arsye të ngushta nuk do që të investojë pozitivisht nuk duhet të shpresojë se mund të fitojë kredo politike, duke dëmtuar një proces i cili me ritme akoma më shpejta.
Shtatorin e shkuar kur vendosët të bëheshit pjesë e mazhorancës me PD vutë si prioritet integrimin. Sa i kënaqur jini deri tani?
Në përgjithësi jam i kënaqur, sepse deri tani programi i qeverisjes për integrimin në tërësi ka ecur me ritme shumë pozitive dhe janë respektuar të gjitha etapat e parashikuara nga ana e qeverisë. Jemi në fazë përmbyllëse të procesit të liberalizimit të vizave. Jemi deri diku në një fazë përmbyllëse, të paktën në planin teknik për Pyetësorin dhe të përgatitjes për të marrë një mendim pozitiv. Në drejtim të NATO-s, Shqipëria është një vend anëtarë, por gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka treguar se ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet që burojnë nga anëtarësimi. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, në vizitën e tij, një vit pas hyrjes në NATO, në Tiranë vlerësoi përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga ana e Shqipërisë si një vend anëtar i ri i NATO-s. Dhe në drejtim të bashkëpunimit rajonal ka pasur zhvillime gjithë e më pozitive dhe gjithmonë roli dhe angazhimi i Shqipërisë është vlerësuar nga partnerët rajonal, BE-ja dhe vendet e tjera. Unë mendoj se gjithë vizioni i kësaj qeverie, lidhur me integrimin, angazhimin kanë dhënë pasojat e pritura deri më tani.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet një sfidë e kësaj qeverie. Javët e fundit kemi pasur një fluks arrestimesh. Si i shikoni këto?
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një prioritet kyç që ka të bëjë me vet forcimin e shtetit të së drejtës, që do të thotë më shumë siguri dhe një betejë e vazhdueshme për të krijuar një ambient sa më të sigurt për klimën e biznesit vendas dhe të huaj është një sfidë që ka të bëjë në një rezultat final me përmirësimin e mëtejshëm të jetës së vet shqiptarëve. Mendoj se vullneti ka qenë shumë i qartë, ka pasur zhvillime tepër pozitive. Të mos harrojmë ligjin Antimafia. është një ligj shumë i rëndësishëm i vlerësuare dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Ka qenë dhe një angazhim në kuadër të liberalizimit të vizave sepse synon, jo thjeshtë të ndëshkojë elementët kriminal, por të shkatërrojë bazën ekonomike të aktiviteteve kriminale, që do të thotë ta godasim krimin, jo thjeshtë në protagonistët e tij. Po kështu, strategjia për luftën kundër krimit të organizuar dhe plani veprimit për luftën kundër korrupsionit është shoqëruar me rezultate dhe goditje konkrete. Kjo tregon ndërgjegjësimin se ky është një prioritet shumë i rëndësishëm. Një prioritet i theksuar në mënyrë të qartë edhe në deklaratën finale të Samitit të Sarajevës, pasi një nga shqetësimet e vendeve anëtare dhe sidomos për qytetarët të këtyre vendeve të BE lidhur me zgjerimin dhe anëtarësimin e vendeve të tjera, ka të bëjë me çështje që vijnë nga krimi i organizuar. Në lidhje me këtë, sinqerisht kur kam parë në lajme vrasjen në një nga gjykatat e Brukselit, fillimisht u lançua lajmi sikur vrasja ishte bërë nga një shqiptar, gjë që nuk ishte e vërtetë sepse u përgënjeshtrua, por fillimisht u anonçua lajmi si i tillë dhe kuptohet se çfarë pasojash sjellë një akt kriminal i një njeriu të papërgjegjshëm për imazhin e një vendi. Mund të bësh një punë të jashtëzakonshme, por dihet që dhe fuqia e mediave është e jashtëzakonshme. është e jashtëzakonshme në Shqipëri dhe aq më tepër në vende të konsoliduara dhe një lajm i keq shpërndahet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe sado lajme të mira të bësh e ke të vështirë ta balancosh atë. Kështu që vendosmëria e qeverisë në luftën kundër fenomeneve negative është e jashtëzakonshme, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është në nivele të ngushta, jo vetëm me BE dhe ShBA, por po punohet shumë dhe më vendet e rajonit.
Tani palët janë në një dialog pas darkës në Strasburg. Kini ndonjë ndjeni se çfarë është arritur?
Nuk mund të them asgjë të veçantë. Por në rast se do të evidentoja një aspekt të pyetjes tuaj se cila është e veçanta e LSI-së mund të them se në gjithë këtë proces ne jemi përpjekur për të nxitur një vullnet pozitiv konstruktiv në mënyrë që edhe transparenca të bëhet maksimalisht, por edhe vendi të mos cenohet sepse kemi të bëjmë me një aspekt shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me faktin që ky vend do të drejtohet mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, të cilat janë të barabarta për të gjithë, apo duhet të drejtohet mbi bazë të precedentit. Nëse do të pranohej një precedent për arsye të një kompromisi të caktuar politik, i bie që nesër një pakicë tjetër të bëjë të njëjtën gjë, të ecë në politikën e bllokimit të institucioneve në mënyrë që të imponojë zgjidhje në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën dhe kështu me radhë.
Ka zëra që ju fajësojnë juve për këtë krizë?
Logjika që pse bëri LSI-ja koalicion me PD dhe kjo nuk është gjë e mirë sepse nuk na intereson ne, se do ishte mirë që të bënte koalicion PS me PD ?!! Mendoj se këto janë logjika interesi, nuk janë logjika politike.
A vazhdoni të bashkëpunoni me z. Nano?
Nuk është çështje bashkëpunimi, është çështje më shumë do të thosha, çështje e një respekti për një të kaluar të përbashkët, e cila ka pasur aspektet e saj pozitive, ka pasur dhe problemet e veta, por natyrisht njerëzit shikojnë përpara dhe përpiqen të përforcojnë sa më shumë elementët pozitiv dhe të bashkëpunimit.