E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trillimet e Edvin 2K dhe bllokmenëve të rinj, reliket e të shkuarës totalitare

Reagimi, PD

PD i kundërpërgjigjet deklaratave të kreut të opozitës, duke konfirmuar se Shqipëria nuk vuan nga asnjë lloj krize dhe se ajo është vetëm në psikologjinë e një karikature politike që dramatizon problemet e tij personal në krizë të shoqërisë

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht dje ndaj akuzave të kryesocialistit në detyrë Edi Rama, sipas të cilit vendi po vuan nga një krizë e rëndë politike dhe ekonomike. Përmes zëdhënëses së saj, PD sqaron se Rama po përpiqet t’i faturojë vendin krizën e tij psikologjike, duke e dramatizuar këtë si ngërç shoqëror.
Sipas Partisë Demokratike nuk mund të jetë në krizë një vend që zhvillon zgjedhjet më të mira në histori dhe merr aprovimin e kancelarive perëndimore për proceset e integrimit. “Edvin Kristaq Kriza apo Edvin 2K nisi turin e ri të krizës në të cilin nga mëngjesi deri në darkë krizën e tij të thellë shpirtërore dhe dramën e madhe psikologjike pasi nuk e shëroi dot me ndryshimin e statutit sipas të cilit Kryetari i Partisë nuk ikën kur humbet zgjedhjet përpiqet ta shndërrojë në krizë imagjinare për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. I themi Edvin 2K se në krizë nuk është një vend që zhvillon zgjedhjet më të mira në historinë e tij, por je ti që kishe vendosur në statutin e partisë tënde se Kryetari që humbet zgjedhjet duhet të largohet nga partia ndërkohë që tani detyrohesh ta lëpish këtë pa u skuqur fare. Në krizë nuk është një vend që në 16 Nëntor votëbesohet nga 27 ministrat e BE për të çelur rrugën e statusit të kandidatit por je ti zoti Edvin 2K që për të penguar këtë vend bojkoton Parlamentin për muaj të tërë. Në krizë nuk është një vend që merr pyetësorin e Komisionit Evropian dhe e dorëzon atë me dinjitet të plotë pas 3 muajsh në Bruksel, por je ti dhe grupi i bllokmenëve të rinj që pasi i fute në parlament i detyrove të qëndrojnë jashtë tij duke besuar se me dhunë dhe forcë do vish në pushtet”, u shpreh zëdhënësja e PD-së.
Ajo deklaroi gjithashtu se nuk është në krizë një vend, kur edhe në kulmin krizës ekonomike botërore, vazhdon të zhvillohet dhe të njohë dimensione të reja zhvillimi.
“Në krizë nuk është një vend që në kulmin e tsunamit ekonomik botëror realizon një rritje prej 3.5 për qind, realizon rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve, realizon një prodhim të eksporteve të vendit që nga 11 miliardë që ishin në 5 mujorin e parë të vitit të kaluar në 30 miliardë në 5 mujorin e parë të këtij viti. Në krizë je ti dhe bllokmenët e tu të rinj që s’dini ku të fshihni pasuritë e grabitura e plaçkitura duke shfrytëzuar barbarisht pushtetin që mbani. Në krizë nuk është një vend për të cilin Komisioni Evropian vendos heqjen e vizave por në krizë është Edvin 2K dhe bllokmenët e rinj që për të bllokuar këtë proces u vendosën për 19 ditë rresht çadrat në bulevardin kryesor të Tiranës në një të ashtuquajtur grevë të braktisur nga shqiptarët dhe e gjithë bota dhe e mbështetur vetëm nga diktatori i fundit i shqiptarëve Ramiz Alia”, deklaroi më tej zëdhënësja e selisë blu.
Ndërkaq, Partia Demokratike fton shqiptarët që trillimet e mashtrimet e Edvin Kristaq Krizës dhe grupit të bllokmenëve të rinj ta përçmojnë si një relikë të një të shkuare që s’kthehet më.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›