Veç politikës, Beogradit i nevojitet edhe pak histori
Dr. Kesiana Lekbello
Vendimi i referendumit të vetëkërkuar dhe vetëvendosur nga serbët e Kosovës për njohjen dhe pranimin e autoritetit të qeverisë së Prishtinës në Kosovë ishte i ditur: serbët e Kosovës nuk njohin pushtetin e Prishtinës. Votimet u kryen të martën 14 dhe të mërkurën 15 shkurt 2012; rezultati flet vetë 99, 76% votoi kundër këtij autoriteti, ndërkohë që pjesëmarrja në votime ishte 80% e atyre që kishin të drejtën për votim. Kosovarët tashmë kanë mësuar dhe kujtojnë që gërvishjet ngacmojnë dhe nuk shërojnë plagët e hapura. Megjithatë problemet janë më të ndërlikuara dhe kërkojnë shumë durim dhe arsyetim. Ajo që kuptohet menjëherë mbas këtij referendumi nuk i përket drejtë për drejtë Kosovës, sepse kosovarët e dinë mirë cilat janë dëshirat dhe opinionet serbe, referendumi godet dhe lidhet ngushtë me Europën dhe sfidën e politikës së saj në Ballkan. Në fakt, referendumi i paligjshëm, shqetëson BE-në, e cila nuk mund të injorojë inisiativat serbe që i komplikojnë BE-së çështjen kosovare, disi të stabilizuar. Akoma më tepër dhe jo pa qëllim ky referendum i vetëvendosur dhe vetëkërkuar nga serbët e Kosovës u krye pikërisht disa ditë përpara 17 shkurtit, kur do të festohej 4- vjetori i pavarësisë së Kosovws.
Me këtë referendum serbët grisin në një farë mënyre (kujtojmë shkurtimisht), traktatin e paqes së Kumanovës që në qershor 1999 i jepte fund luftës së Nato-s kundër ish-Jugosllavisw dhe lejonte futjen në Kosovë të trupave atlantike, të cilat gjithashtu pranonin në bazë të paktit edhe sovranitetin e Beogradit: kjo paqe gjithashtu hapte edhe rrugën e Rezolutws 1244, (marrëveshja nr.1244) e Këshillit të OKB-së. Nga ky pakt lindi dhe u ligjërua misioni i UNMIK dhe okupimi i përkohshëm gjashtë vjetë i Kfor-Nato-s në Kosovë. Ndërkohë kanë kaluar më tepër se dhjetë vjetë dhe nën sytë e Nato-s dhe OKB-së, Kosova me shumë vështirësi arriti të gjejë vetveten; nga ana tjetër serbët e minorancës që jetojnë në Kosovë, u mbyllën në zonat e veriut duke urryer gjithmonë e më tepër kosovarët. Sigurisht urrejtja është reciproke dhe dhuna dhe gjaku i derdhur nuk harrohet kollaj, por pretendohet të ecet përpara. Të paktën BE-ja kwtw e shtron si kusht primar në stabilizimin e rajonit ballkanik në zonën serbo-kosovare.
Kujtojmë gjithashtu që çështja e Pavarësisë së Kosovës ka vënë në siklet gjithë Komunitetin Ndërkombëtar; konkretisht OKB-ja nuk e ka njohur, deri më sot, zyrtarisht Shtetin e Kosovës; ndërsa Rusia dhe Kina janë krejtësisht kundër kësaj pavarësie; problemet komplikohen edhe brenda gjirit të BE-së, ku akoma disa shtete si, Spanja, Greqia, Rumania dhe Qipro akoma nuk pranojnë ta njohin shtetin e ri. Nga ana tjetër paqartësitw e politikës serbe dhe sikleti ndërkombëtar e shtynë akoma më tepër BE-në të dërgojë në Kosovë misionin Eulex, i cili ka për detyrë kujdesin dhe ndihmën për konsolidimin gradual në strukturat e shtetit kosovar.
Ndërkohë ngjarjet në Kosovën e veriut u vështirësuan akoma më tepër duke filluar nga fundi i vitit 2011 dhe fillim të vitit 2012; serbët e zonës Kosovska Mitrovica (koncentrimi më i madh i popullsisë serbe në Kosovë), kundërshtojnë dhe protestojnë haptas, nëpërmjet barrikadave dhe jo vetëm, pushtetin e Prishtinës në këtë zonë. Por nuk është, siç e thash, vetëm kjo arsyeja: kundërshtimi i tyre ka për objektiv kryesor ndalimin dhe ndërtimin e një pike kufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht, si mund të ndërtohet një vijë kufitare kur shteti Serbë nuk njeh Pavarësinw e Kosovës? Si mund të pranohet Shteti i ri i Kosovës kur serbët e quajnë veten më të vjetër se vetë kosovarët ?
Që ti përgjigjesh pyetjeve, duhet ti kthehesh historisë dhe pikërisht historisë së Europës, e cila është e shkruar mbi fakte dhe dokumenta konkrete. Shqyrtojmë disa faktorë: Të gjithë njohin në histori sulmet barbare në gjirin e Perandorisë Romake duke filluar nga shekulli i II-III m.k.; kujtojmë gjithashtu që këto dyndje (ajo që në histori njihet si vala e tretë emigruese, Normanët, Sllavët, Arabët) ndryshuan tesutin gjeo-politik të Europës sidomos asaj lindore. Në këtë zonë u koncentruan popullsitë sllave (ndoshta me origjinë nga stepat e thella të Karpazit), të cilat duke filluar nga shekulli VII,VIII, IX dhe X m.k. arritën më në fund të stabilizohen përfundimisht në këtë pjesë të Europës lindore, duke formuar për rrjedhojë shtetet përkatëse nga, ungarezët, boemët, polakët, sllavët e Kievit, bullgarët, kroatët dhe serbët,; këta të fundit në veçanti, u vendosën midis Drinës dhe Moravës për të arritur deri në fushën e Kosovës për tu stabilizuar përfundimisht në shekullin e IX m.k., Kjo fazë e emigrimit sllave njihet konkretisht në histori me emrin Sllavëzimi i Ballkanit. (Storia Medioevale, C.Capra, G. Chittolini, F. della Peruta; Le Monnier,Firenze1995, fq. 93.).
Popullësit pagane sllave gjetën në Europën qëndrore popullsitë autoktone kristiane nën Perandorinë Bizantine (Perandoria Romake e Orientit, Bizanzio që me Kostantinin u quajt Konstandinopoj. 333 m.k). Një nga këto popullsi ishin edhe illirët dhe grekët e lashtë, të cilët kthyer tashmë Kristian në shekullin e I m. k. nga Shën Pavli, e patën jashtë mase të vështirë bashkëjetesën me popullsitw e ardhura sllave. Brënda një kohe relativisht të shkurtër popullsitw sllave ju përshtatën Perandorisë Kristiane Bizantine dhe nga paganë u kthyen Kristianë. Nuk mund të konsiderojmë problemin serbo-kosovar por nuk kujtuam edhe aspektin historik. Wshtë e domosdoshme!
Pas këtij fakti historik, nëse për një çast duam të provokojmë serbët shtrojmë dhe komplikojmë skenarët me një supozim: po sikur tërsisht Kosova të rikthehet siç ishte një herë e një kohë, e krishterë, lind pyetja serbët do munden të luftojnë kundër vëllezërve kristianë-kosovarë? Trualli dhe feja janë dy armiqësi gjithmon në fërkim, ndërsa paqja do shumë përkushtim dhe për serbët duket një utopi pa realizim. Kosovarët me truallin, etninë dhe fenë e përbashkët kanë formuar Shtetin në formën e tij primare të arsyetimit të dokumentuar historikisht; por kur trualli okupohet, gjë që ka ndodhur, nga pjestarë të tjerë, që nuk përputhen as në etni, as në gjuhë, as në fe dhe as në zakone me ty është e vështirë të gjehet vija e drejtë, sepse nuk ka si të pranohet bashkëjetesa e dy popujve kur gjithësekush kërkon të jetë i parë, pa çka se njëra palë është shumica dhe tjetra pakica.
Ajo që shohim dhe që dimë sot mbështetet edhe në të kaluarën historike, të cilën e konsideroj pilastër strukture në zhvillimin e drejtë njerëzor. Jo pa qëllim BE-ja, madje edhe kancelaria Angela Merkel, insiston dhe e detyron ndershmërisht Serbinë të reflektojë gjërë e gjatë mbi Pavarësinw e Kosovës: Serbia e njeh mirë kushtin e domosdoshëm që Be-ja i ka vendosur për ta futur si anwtar në gjirin e saj. Ky kusht vendos me shpatulla në mur edhe atë pjesë filo-europiane serbe që shumë dashuron Europën; pra pjesa europeiste që drejtohet nga presidenti Boris Tadiç. Ajo që më tepër çudit dhe nxjerr në dritë nervin e zbuluar të politikës së Beogradit, është që me gojë flasin për Europën ndërsa me penë shtojnë në Kushtetutën Serbe frazën e re e cila shpreh këtë ide - Kosova është toka që themeloi historinë dhe fenë e popullit serbë dhe kjo tokë nuk mundet kurrsesi të braktiset nga serbët -.
Kjo frazë e re në Kushtetutën serbe bëhet dashje pa dashje obelisku i një çështje që duket pa zgjidhje për vetë serbët, të cilët po nuk pranuan shtetin kosovar zor se do të gjejnë qetësi si popull. Më shumë se politikë e drejtë, serbëve u nevojitet historia e drejtë e dokumentuar.
Europa ndërkohë mendohet; kriza dhe politika e saj kanë mijëra pikëpyetje për zgjidhje; ndërsa nga ana tjetër Beogradit më tepër se politikanët do ti shërbenin historianët europianë. Për ti kujtuar cilët ishin, ku emigruan dhe se integrimin e kanë arsyetim të detyruar. Sfida është e hapur; pranvera po vjen dhe serbët kanë votimet. Urojmë rezultate optimiste!