E Diel, 1 Nëntor 2026

PS akuzon për punë të dobët Policinë dhe Gardën

Gjate seances se sotme te Kuvendit deputeti socialist Lutaj akuzoi se per shkak te punes se dobet te policise eshte rritur kriminaliteti ne vend, kurse garda po perballet me spastrime. Ministri Nishani kunderpergjigjet 

TIRANË-PS akuzoi sot nga podiumi i parlamentit se Policia dhe Garda po punojnë shumë dobët. Në përgjigje të akuzave të deputetit të opozitës, Pirro Lutaj gjate diskutimit te lire foli Ministri i Brendshëm Bujar Nishani.
”Edhe raporti i fundit i DASH kritikon ashpër largimet e specialistëve nga puna dhe zëvendësimin e tyre sidomos në strukturat e Ministrisë së Brendshme, posaçërisht të Policisë së Shtetit. Kjo ka bërë që qeveritarët tanë të mos e fshehin dot uljen e profesionalizmit në punën e Policisë së Shtetit dhe rritjen alarmante të treguesve të krimit në Shqipëri”, tha Lutaj.
Lutaj theksoi se “edhe në një strukturë tjetër në vartësi të Ministrisë së Brendshme, Gardën e Republikës, pasi u bënë më parë spastrimet politike të rastit, efektivat po ballafaqohen tashmë, me një ç’organizim të organizuar emërimesh, komandimesh e largimesh jashtë çdo kriteri ligjor”.
Në këtë kuadër ai kujtoi emërimin e badiguardëve dhe shoferëve të kryeministrit që sot sipas PS janë Majorë dhe kolonelë.
PS u shpreh dhe për një konflikt të hapur gjyqësor për një godinë të Komandës së gardës. “E kuptoj gjithashtu Ministrin Nishani, i cili nuk mund të ndalojë dot procedurat e kthimit të objektit ku ndodhet Komanda e Gardës së Republikës, pronarit, edhe pse konflikti gjygjësor midis pronarit dhe Gardës në shkallën e parë është fituar nga Garda e Republikës dhe çështja është në gjykim në Gjykatën e Lartë. Ministri nuk e ndalon dot këtë, sepse mbrapa pronarit të pretenduar të objektit, është një lidhje e afërt familjare e Kryeministrit të vendit”.

Në përgjigje të akuzave të deputetit të opozitës, Pirro Lutaj "për punë të dobët në strukturat e rendit", ministri Nishani tha se "në radhët e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, nuk ka më trafikantë droge, trafikantë femrash dhe persona të cilët ndaloheshin në pikat e kalimit kufitar të vendeve të BE-së me pasaporta të falsifikuara".
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi se, "Garda e Republikës apo Policia e Shtetit janë sot institucione të konsoliduara, që funksionojnë vetëm mbi baza ligjore dhe parimet e shtetit të së drejtës".

Lidhur me objektin shumëkatësh që është duke u ndërtuar pranë territorit të Gardës së Republikës në Tiranë, Nishani informoi se "ky ndërtim ka nisur në kohën e qeverisë paraardhëse". Ministria e Brendshme, në vartësi të së cilës është dhe Garda e Republikës, shtoi ai, ka bërë kallëzim në prokurori dhe gjykatë, por që është hedhur poshtë nga këto dy institucione.
"Duke njohur shtetin e së drejtës, si shtet ligjor, ministria e ka pranuar vendimin e dhënë nga këto institucione", përfundoi ministri i Brendshëm.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›