E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta për hyrjen në NATO: Ta kthejmë në mundësi mirëqenieje

Kreu i LSI, Ilir Meta ka përshëndetur sot anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e madhe të Atlantikut Verior, duke bërë thirrje që ky mesazh lirie të mos përdoret si kapital politik, por të kthehet në mundësi mirëqenieje për shqiptarët. 

TIRANE- Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është përshëndetur edhe nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një vizite në një nga ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve në Tiranë.

“Këtë mesazh lirie dhe sigurie nuk duhet ta përdorim si kapital të brendshëm politik, ndërsa duhet të përpiqemi të zgjidhim problemet me të cilat përballet vendi, një ndër to dhe kapërcimi i krizës ekonomike, përmes politikave mbështetëse të qeverise ndaj biznesit” theksoi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Meta theksoi se anëtarësimi në NATO është në rradhë të parë meritë e popullit shqiptar, i cili sipas kreut të LSi-së është populli më “pro NATO”, edhe më tepër se vetë anëtarët e saj.
Ndër të tjera Meta bëri thirrje që kjo arritje e madhe e Shqipërisë të kthehet në një mundësi mirëqënieje dhe prosperiteti për të gjitha familjet shqiptare. (e.n/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›