E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ankimon rinumërimin për Lezhën, Bele: KQZ vendime të paligjshme, PD: Vodhët votat

TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka nisur shqyrtimin e kërkesës së PS-së, e cila kërkon shpalljen e pavlefshme të rinumërimit të votave për qarkun e Lezhës.

Nënsekretari për çështje zgjedhore të PS-së, Koli Bele e cilësoi vendimin e KQZ të paligjshëm pasi nuk kishte kuorumin e nevojshëm për të rihapur dhe rinumëruar kutitë në qarkun e Lezhës.

“Vendimi duhet me shumicë të cilësuar, pra me 5 anëtarë. Vendimi është i pavlefshëm, pasi është marrë me 4 anëtarë”, tha Bele. 

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së PS, me pretendimin se PS i dorëhoqi anëtarët e saj nga KQZ, pasi kishte si qëllim bllokimin e procesit zgjedhor. Kaso akuzoi PS se “vodhi dhe grabiti votat” në Lezhë.

Në orët e vona të ditës së diel KQZ ka mbyllur rinumërimin e votave për Qarkun e Lezhës. Pas numërimit të votave të 248 kutive të këtij qarku u vërejtën parregullsi të vogla, por pa ndikim në ndarjen e mandateve, i cili ishte i njëjtë me procesin e numërimit, PD me 4 deputetë, PS me 2 deputetë dhe LSI 1 deputet.

Përfundimi i rinumërimit të votave u pasua me debat nga përfaqësuesit e dy partive. Përfaqësuesit e partisë Socialiste kërkuan kohë për verifikimin e tabelave të rezultateve dhe miratimin e tyre ditën e nesërme, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklaruan se kjo kërkesë ishte e pavend dhe KQZ miratoi me 4 vota tabelat e rezultateve për Qarkun e Lezhës.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›