E Diel, 1 Nëntor 2026

12-vjeçari i aksidentuar, xhaxhai: Mjekët na thanë se truri ka pushuar së funksionuari

DURRES – Gjendja e djalit 12-vjeçar që u aksidentua një ditë më parë në Shijak, vijon të jetë e rëndë, madje mjekët kanë njoftuar familjarët e tij se fatkeqësisht truri i të miturit ka pushuar së funksionuari.

Xhaxhai i djalit, Lulzim Mustika bëri të ditur për “News24” se mjekët i kanë paralajmëruar se gjendja e 12-vjeçarit është tepër kritike. 
“Sipas mjekëve truri ka pushuar së funksionuari. Falenderoj mjekët dhe “News24” që bëri të pamundurën dhe e çoi çështjen deri tek ministri.”- deklaroi xhaxhai i djalit.

12-vjeçari S. Mustika është plagosur rëndë mesditën e djeshme, pasi u përplas nga një automjet në Shijak. Djali ka qenë duke udhëtuar me biçikletë, ndërsa është përplasur nga një mjet që udhëtonte me shpejtësi e si pasojë është dërguar në gjendje kome në spitalin e Durrësit.

Duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore, kirurgu i spitalit të Durrësit, Vasil Ziu kërkoi transportin e 12-vjeçarit për shërbim të specializuar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Kjo, pasi 12-vjeçari kishte nevojë për një ndërhyrje në kokë, por në spitalin e Durrësit nuk ka mjekë neurokirurgë. Për më tepër, i mituri u reanimua menjëherë dhe oksigjenohej në mënyrë të drejtuar vetëm nga aparaturat, ndërsa në këtë spital nuk kishte ambulanca me respirator, çka e bënte të pamundur transportin e tij drejt kryeqytetit.

Përpos kësaj, Spitali Ushtarak nuk e mori përsipër kurimin e djalit me pretendimin se nuk kishin asnjë shtrat të lirë. "Fëmija i aksidentuar ndodhet në reanimacion dhe është në gjendje kome. Kërkuam ta nisnim në Spitalin Ushtarak, por atje nuk e pranuan. Po e mbajmë në jetë me aparatura me frymëmarrje të drejtuar, pasi ka goditje të rëndë në kokë dhe në trup", deklaroi kirurgu Vasil Ziu.

Pas kësaj, prindërit e 12-vjeçarit apeluan për ndihmë në "News 24" dhe kërkuan ndërhyrjen e ministrit të Shëndetësisë. 3 orë pas aksidentit ka reaguar ministri Halim Kosova, i cili ka dërguar një ekip mjekësh të specializuar në Durrës. Ndërkaq, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, 24-vjeçarin Man Vora, i cili po merret në pyetje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›