E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, apel policisë: Mos iu bindni urdhrave politikë

TIRANË- Pas incidentit të një dite më parë, kur policia pengoi protestuesit dhe ndaloi punonjësit e bashkisë në protestën e bashkive, Partia Socialiste kërkoi nga blutë neutralitet dhe mosbindje ndaj urdhrave politikë.
Ilir Gjoni në emër të PS-së, theksoi sot edhe njëherë se keqpërdorimin që Sali Berisha dhe klani i tij po i bëjnë një prej institucioneve më të rëndësishme - Policisë së Shtetit. "Me urdhrat qartësisht politike ndaj Policisë së Shtetit e cila funksion te vetëm ka ruajtjen e rendit publik, Berisha po na rikthen në një periudhë të hidhur si ajo e para mbi dhjetë viteve kur ai urdhëronte policinë dhe strukturat e sigurisë që të godisnin popullin për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të korruptuar e mafioz"- tha ai.
Sipas Gjonit, Policia e Shtetit duhet të ruajë neutralitetin politik, të sigurojë autonominë strukturore dhe të jetë në funksion të shtetit e qytetarëve e jo të pushtetit. Prandaj, Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë oficerëve të ndershëm e profesionistë të Policisë të refuzojnë t'u binden urdhrave të disa drejtuesve që janë vegël e njohur e Sali Berishës, ish bodigardë të tij apo militantë.
Policia e Shtetit, ka theksuar më tej ai, nuk duhet ta shpërqendrojë vëmendjen e saj nga lufta kundër krimit dhe garantimi i rendit publik.
"Partia Socialiste paralajmëron se do të denoncojë ashpër dhe nuk do të lejojë që askush të keqpërdorë Policinë e Shtetit për interesat e Familjes. Forca e ligjit do të bjerë mbi këdo që instrumentalizon, me apo pa dashje, Policinë e Shtetit, duke u përpjekur ta ballafaqojë atë me popullin të cilit ajo duhet t'i shërbejë"-përfundoi Gjoni.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›