PS apelon për ndihmë në zonat e përmbytura

Partia Socialiste ka apeluar sot për mbështetje ndaj banorëve në zonat e përmbytura në veri. Deputetja Englantina Gjermeni, ripërsëriti faktin se kushdo me një kontribut të vogël e modest mund të bëjë shumë në këtë katastrofë që ka përfshirë Veriun e vendit.
"I bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë brenda Shqipërisë apo në emigracion, të shprehin solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për familjet, shtëpitë e pasuria e së cilave janë nën ujë", u shpreh ajo.
Partia Socialiste ka hapur dy llogari bankare, në dy banka të ndryshme, për të mbledhur ndihma financiare për familjet e përmbytura. Ndaj Gjermeni ftoi që "secili prej nesh mund të kontribuojë me një shumë sado modeste, për t'i bërë këto familje të mos ndjehen vetëm. Shumat e mbledhura në këto llogari bankare do të shkojnë për familjet në nevojë, dhe ky proces do të kryhet me transparencë të plotë".