Pyetësori i KE-së, qeveria gati 81 për qind e përgjigjeve
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, raportoi dje se nga 2284 pyetjet që përmban në total pyetësori i KE-së, u është dhënë deri tani përgjigje 1853 pyetjeve, shifra këto optimiste. Sipas saj, afati më i skajshëm i draftit të parë të përgjigjeve është data 17 janar, disa institucione e kanë mbyllur më 3 janar, çka do të thotë që kanë punuar vrullshëm edhe gjatë ditëve të festave.
Qeveria “Berisha 2” e konsideron si një provim mjaft të rëndësishëm dhënien e pyetjeve të pyetësorit të KE-së. Tashmë stafi qeveritar ka bërë gati 81 për qind të përgjigjeve të këtij dokumenti që teston punën e saj në drejtim të integrimit të vendit. Kryeministri Sali Berisha mblodhi Komitetin Ndërministror të Integrimit për procesin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së për Shqipërinë, ku ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri me dije se deri më tani u janë dhënë përgjigje në total 81% të draftit të parë të pyetjeve. Pra, 2280 pyetjeve që përmban pyetësori, u është dhënë deri më tani përgjigje, 1853 pyetjeve. Pas një raportimi të plotë që ministrja Bregu bëri për çdo kapitull, Kryeministri Berisha theksoi se përfundimi me sukses i dhënies përgjigje këtij pyetësori është provimi më i rëndësishëm dhe më domethënës për qeverinë shqiptare. Kryeministri kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar trajtimin e pyetësorit me seriozitetin më të madh, duke marrë mbi vete përgjegjësitë kryesore. “Kërkoj nga ju ta trajtoni me seriozitetin më absolut çështjen në fjalë. Kjo vërtet është punë e specialistëve, por përgjegjësia është jona. Zotërinj ministra, midis detyrave të shumta që keni, pyetësori është mbi të gjitha, pasi është një provim për qeverinë dhe vendin në tërësi”. Pas mbledhjes së Komitetit të Integrimit, ministrja Bregu informoi mediat për ecurinë e të gjithë procesit të plotësimit të 2284 pyetjeve të pyetësorit që mbërriti më 16 dhjetor. Sipas saj, nga 2284 pyetjet që përmban në total pyetësori, u është dhënë deri tani përgjigje 1853 pyetjeve dhe janë shifra optimiste. “Mund t’ju kujtoj që afati më i skajshëm i draftit të parë të përgjigjeve është data 17 janar, disa institucione e kanë mbyllur më 3 janar, çka do të thotë që kanë punuar vrullshëm edhe gjatë ditëve të festave”, - deklaroi znj. Bregu.
Përgjigjet sipas kapitujve
Deri me datë 7 janar 2010, ka përfunduar puna për hartimin e draftit të parë të përgjigjeve për kapitujt e mëposhtëm (duke i renditur prej atyre të realizuar në 100%)
-Kapitulli 5 mbi Prokurimin publik - Koordinuar nga Agjencia e Prokurimit Publik
-Kapitulli 8 mbi Politikat e konkurrencës - Koordinuar nga Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës
-Kapitulli 14 mbi politika e transportit - Koordinuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
-Kapitulli 25 - Shkenca dhe Kërkimi - i koordinuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës
-Kapitulli 16 mbi Tatimet - Koordinuar nga Ministria e Financave
-Kapitulli 29 mbi Doganat - i Koordinuar nga Ministria e Financave
-Kapitulli 32 mbi Kontrollin financiar - Koordinuar nga Ministria e Financave
-Kapitulli 33 mbi Financat dhe buxhetin - Koordinuar nga Ministria e Financave
-Kapitulli 12 mbi Politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve - koordinuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
-Kapitulli 11 mbi bujqësinë dhe zhvillimin - koordinuar nga Ministria e bujqësisë.
Përgjigjet politike drejt përfundimit
- Kapitulli mbi kriterin politik - koordinuar nga Ministria e Drejtësisë, 98%
- Kapitulli 2 mbi lëvizjen e lirë të punëtorëve - koordinuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, 97%
-Kapitulli 6 mbi Legjislacionin për shoqëritë tregtare - Koordinuar nga METE, 97%
-Kapitulli 10 mbi shoqërinë e informacionit dhe medias -, koordinuar nga Ministria e Shtetit, 97%
-Kapitulli 31 mbi Politika e jashtme e sigurisë dhe e mbrojtjes - Koordinuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, 94%
-Kapitulli 23 mbi gjyqësorin dhe te drejtat themelore - koordinuar nga Ministria e Drejtësisë, 94%
-Kapitulli 7 mbi Pronësia intelektuale - Koordinuar nga METE, 93%
Duke vijuar më tej me 6 kapituj të tjerë, tek të cilët është dhënë mbi 80% e përgjigjeve
- Kapitulli 21 mbi Rrjetet ndërevropiane - Koordinuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, 89%
-Kapitullin 9 mbi shërbimin financiar - koordinuar nga AMF, 87%
-Kapitulli 19 mbi politikat sociale dhe zhvillimin - koordinuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, 82%
-Kapitulli 15 mbi energjinë - koordinuar nga METE, 80%
-kapitulli 13 e peshkimit - koordinuar nga Ministria e Mjedisit, 85%
-kapitullin 22 mbi politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, 76%
-Kapitulli 27 mbi Mjedisin - Koordinuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, 79%
Kanë mbetur pa përgjigje...
Janë edhe disa kapituj të tjerë, të cilët, për shkak se kanë pasur një volum më të madh pyetjesh, përqindja e dhënies së përgjigjeve është diçka më e ulët, pra nuk do të thotë se nuk ka qenë i njëjti ritëm pune si në institucionet e tjera:
-kapitulli 17 i politikave monetare - koordinuar nga Banka e Shqipërisë, 60%
-kapitullin 18 i statistikave - koordinuar nga INTAT, 67%
-Kapitulli 24 mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë - koordinuar nga Ministria e Brendshme 60%
-Kapitulli 28 mbi mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit publik - koordinuar nga METE 49%
dhe kapitulli 30 mbi marrëdhëniet me jashtë - koordinuar nga METE 49%.
Ndërkohë që kapitulli 22 i koordinuar nga Ministria e Integrimit ka përfunduar 76% të pyetjeve të pyetësorit. Pjesa tjetër e pyetjeve do të zhvillohen pas rekomandimeve që do të ketë me Misionin e Përbashkët të Komisionit Evropian për menaxhimin e decentralizuar që do të vijnë në 18 janar 2010.
Deri më tani kemi evidentuar 4 pyetje të paqarta të cilat ia kemi dërguar Komisionit Evropian, nënkuptoj këtu formulimin deri diku evaziv të pyetjes, për të qenë sa më të saktë në përgjigje. Është një procedurë e ndjekur edhe nga vende të tjera.