E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, Memia:Të gjithë mund të paguajnë me bono

Ndryshimet në ligj heqin kufizimet në përdorimin e bonove, ndërkohë që detyrimi për ALUIZNI-n paguhet deri në 50% me letra me vlerë. Sipas kreut të ALUIZN-it, Shaban Memia, edhe qytetarët që kanë ndërtime infomale që konsiderohen sociale nën këto metra katrorë, do të mund të paguajnë deri në 50 për qind të detyrimeve me letra me vlerë.

Ndryshimi në ligjin e legalizimeve që miratoi qeveria një ditë më parë, do të bëjë të mundur që çdo qytetar të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të detyrimeve për ndërtimin informal. Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, tha për gazetën se ndryshimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave ka të bëjë me mundësinë që çdo qytetar në proces legalizimi të ketë mundësi të përdorë bonot e privatizimit. Në ligjin e miratuar dy muaj më parë në Kuvend, sanksionohej që letrat me vlerë të përdoreshin në masën 50 për qind vetëm për ndërtimet informale të cilat konsiderohen të mëdha. Sipas ligjit, me letra me vlerë paguanin deri në 50 për qind, vetëm ndërtimet mbi 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë si dhe 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë. Memia tha se me ndryshimet që u miratuan, edhe qytetarët që kanë ndërtime infomale që konsiderohen sociale nën këto metra katrorë, do të mund të paguajnë deri në 50 për qind të detyrimeve me letra me vlerë. “Edhe qytetarët që kanë parcela ndërtimore të vogla si 100 metra katrorë, do të kenë mundësi të paguajnë me bono”, - tha Shaban Memia, drejtori i ALUIZNI-t.
Sipas ndryshimeve që do të shkojnë në Kuvend, përcaktohet se si për ndërtimet brenda vijës së verdhë, ashtu edhe për ato jashtë vijës së verdhë, pagesa me bono privatizimi nuk do të jetë më e madhe se 50 për qind e vlerës që duhet për të legalizuar shtëpinë. “Çdo pronar i ndërtimit pa leje, që trajtohet sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç” të paragrafit të parë të këtij neni, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore jashtë vijave të verdha”, - thuhet në pikën 1 të projektligjit. Në këtë ndryshim përcaktohet se ndërtimet në periferi përfshihen në proces për letra me vlerë. Këto ndërtime sipas ligjit nuk paguajnë më shumë se 4 milionë lekë të vjetra, por edhe këtë sasi ato mund ta paguajnë gjysmën me letra me vlerë. “Çdo pronar i ndërtimit pa leje, që trajtohet sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të paragrafit të parë të këtij neni, mund të paguajë me bono privatizimi deri në 50 për qind të vlerës së parcelës ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha”, - thuhet në pikën 2 të projektligjit. Pika e dytë e projektligjit përcakton se ndërtimet me parcela të vogla brenda vijës së verdhë do të paguajnë gjysmën me letra me vlerë. Edhe këto ndërtime paguajnë deri në 4 milionë lekë të vjetra maksimumi për legalizimin por tashme mund të paguajnë gjysmën me letra me vlerë.
Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. Kështu, duke filluar nga data 24 nëntor e vitit të kaluar e deri më 24 shkurt, qytetarët kanë afat për të bërë kërkesës pranë ALUIZNI-t. Por, ky afat nuk ka të bëjë me përdorimin e letrave me vlerë, por thjesht me një kërkesë formale. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligjit që hyn në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje mund të paguaj,ë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi.

Pagesa për të legalizuar ndërtimin informal

Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:

Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës

për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

b) për sipërfaqe deri në 200 m² 150 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

c) për sipërfaqe deri në 300 m² 200 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

ç) për sipërfaqe deri në 400 m² 300 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

d) për sipërfaqe deri në 500 m² 400 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

dh) për sipërfaqe mbi 500 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me bono privatizimi

Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha

Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të

verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:

Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës

a) për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

b) për sipërfaqe deri në 200 m² 300 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

c) për sipërfaqe deri në 300 m² 400 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

ç) për sipërfaqe mbi 300 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me bono privatizimi

Çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime. Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:

Sipërfaqja Sasia e pagesës Mënyra e pagesës

a) për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

b) për sipërfaqe deri në 75 m² 200 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

c) për sipërfaqe deri në 100 m² 400 mijë lekë; deri në 50 % me bono privatizimi

ç) për sipërfaqe mbi 100 m² Me vlerën e tregut deri në 50 % me bono privatizimi

Pagesa në "territore të tjera"

Për parcelat ndërtimore në "territore të tjera" zbatohen të njëjtat tarifa dhe mënyra pagesash (bono privatizimi deri në 50% të vlerës), sipas nenit 19 të këtij ligji, por shteti nuk angazhohet të investojë për infrastrukturën në këto territore. Këshilli i njësisë vendore, përpara se të vendosë kalimin e pronësisë në favor të subjektit, kërkon miratim të posaçëm nga:

a) këshilli i qarkut dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së

Konsumatorit për toka të kategorisë bonitete (1-4);

b) këshilli i qarkut për toka të kategorisë (5-10).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›