E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, bojkot të kushtëzuar Parlamentit

Partia Socialiste kushtëzon pjesëmarrjen e saj në Kuvendin e Shqipërisë me transparencën e zgjedhjeve. Kryesia e kësaj partie, pas disa orë debatesh, ku pati pro dhe kundër, PS vendosi të mos hyjë në Parlament nëse qeveria nuk plotëson kushtet e saj që lidhen me një komision hetimor parlamentar, rinumërim në tre qarqe, si dhe kthimin e militantëve të PS-së në punë. Ideja që do të përvijojë të diskutohet sot në grupin parlamentar është kundërshtuar nga një pjesë tjetër, e cila kërkonte që grupi të hyjë në Parlament dhe aty të kërkohej të plotësohen kushtet. Rama dhe Blushi, dy polet kundërshtare të çështjes së bojkotit, dhanë arsyet e tyre për vendimin që është marrë, duke rënë në kundërshti sa i përket kushteve. Rama tha se kushtet do të diskutohen sot në grup, ndërsa Blushi u shpreh se është i paqartë kushtëzimi dhe vetë Rama nuk ka ditur të japë asnjë përgjigje. Në komunikim me mediat, Rama deklaroi se mbledhja e Kryesisë u karakterizua nga debatet.
"Pati debate lidhur me fillimin e sesionit të parë të legjislaturës dhe lidhur me përcaktimin qëndrimit të PS-së, të grupit të saj për një Parlament të cilin rezoluta e kongresit e konsideron me legjitimitet të cunguar. Qysh prej këtij përcaktimi është e qartë se marrëdhëniet me Parlamentin nuk mund të jenë të pakushtëzuara, pra PS dhe grupi nuk mund të jenë pjesë e jetës parlamentare, njësoj si do të ndodhte në rast se ky do të ishte shprehje e vullnetit sovran të popullit dhe jo e deformimit të tij përmes farsës zgjedhore e që ende vazhdon në kurriz të njerëzve që përndiqen për shkak se kanë marrë pjesë në fushatën e PS për shkak se janë angazhuar me opozitën dhe largohen nga puna", sqaroi Rama. Ai bëri me dije se grupi do të vendosë për vendimin përfundimtar, sepse është grupi që ka fjalën e fundit, ndërkohë Kryesia vendosi që t‘i përcjellë grupit propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Pra PS do të jetë pjesë e Parlamentit, pasi shumica e tij me një mandat politikisht jo legjitim të konsiderojë kushtet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe me gjithë kuadrin e demokracisë dhe të garës demokratike. "Dje u diskutua në parim për atë që do të jetë një paketë kushtesh, sot grupi do të diskutojë më në detaj dhe do t‘u bëhen të njohura publikut. S‘është bojkot primitiv. Ne do kemi një aksion shumëplanësh, që do të jetë i koordinuar me gjithë opozitën, duke u bërë thirrje edhe forcave të tjera, politike e shoqërore që të bashkohen në emër të një domosdoshmërie, që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", vijoi Rama.
Ben Blushi, pak minuta më vonë, tha se bojkoti është i paqartë dhe se po bëhet për shkak të interesave personale të Edi Ramës.
"Për fat të keq u vendos ajo që parashikuam që PS nuk do marrë pjesë në Parlament pa afat dhe pa kushte të paqarta. Ky është një bojkot dhe një pjesë e anëtarëve të Kryesisë ishin kundër tij. Ata vlerësuan se bojkoti nuk është në dobi të PS po thjesht dhe vetëm më shumë se kurrë për interesat personale të Ramës.
"Ai nuk faktoi dot manipulimet dhe deformimet. Këto zgjedhje kanë pasur deformime, por PS duhet ta kishte përballuar me dinjitet. Po fshihemi pas alibive. Unë dhe shumë kolegë të tjerë u pozicionuam kundër bojkotit. Të kushtëzojmë marrëdhëniet por duke hyrë në Parlament. I kërkova Ramës të shprehet për kushtet, por nuk dinte asgjë. Rama tha se kjo do t‘i lihet grupit parlamentar", u shpreh Blushi.
Sakaq, debatet ishin të ashpra brenda Kryesisë. Një tjetër anëtar kryesie, Arben Malaj, bëri disa propozime, por kundër bojkotit të Parlamentit. Mësohet se Malaj është shprehur për kushtëzim të axhendës së Parlamentit me hetimin e zgjedhjeve. Jo konsensus në votimet me shumicë të cilësuar që janë votime për reforma.
Kërkesë për hetim ndërkombëtar për vrasjen e deputetit
Xhindi. Hetim parlamentar për abuzimet me fondet, me administratën etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›