E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarja: Si na torturonte Aldo Bare

Një dëshmitare ka rrëfyer dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda torturat që ka pësuar nga Banda e Lushnjës, duke e detyruar që të emigronte së bashku me familjen në Greqi, Turqi dhe Gjermani. Mimoza Haxhiu, kunata e Shkëlqim Haxhiut, të cilit iu dogj banesa nga Banda e Lushnjës, ka rrëfyer para trupës gjyqësore se në vitin 1997 kishte përfituar nga kthimi i pronave një godinë, përbri ish-hotel Myzeqesë në Lushnjë. Sipas dëshmitares, godinën e kishin shndërruar në banesë dhe një restorant ku siguronin të ardhurat për mbijetesë.

Rrëfimi i Haxhiut
"Pak kohë pasi kishim hapur biznesin, Enver Dondollaku, Arjan Aliço, Luan Stërku dhe të tjerë që s‘i mbaj mend erdhën e i binin derës së dyqanit që kishim në katin e parë të godinës. Isha vetëm në banesë, pasi bashkëshorti kishte shkuar tek i ati. Ishin mbi pesë persona që bërtisnin ‘Do ju vrasim, do ju shuajmë të gjithëve, por hapeni derën‘. Në momentin që do dilja pa dashje u përplasa me një tavolinë inoksi, e cila bëri një zhurmë karakteristike si mbushja e armëve me fishek", ka rrëfyer dëshmitarja, duke deklaruar se në këtë moment, ata u larguan. Më pas ajo kishte telefonuar menjëherë bashkëshortin dhe vjehrrin, të cilët erdhën të nesërmen ku dhe morën vesh se po atë natë i kishin djegur shtëpinë edhe Shkëlqim Haxhiut, kunatit të saj. "Ditë me radhë merrnim telefonata kërcënuese, të cilat na detyruan që të emigronim jashtë shtetit dhe u vendosëm në Greqi. Pak muaj më vonë shkuam në Turqi dhe më pas u vendosëm në Gjermani", rrëfeu para togave të zeza dëshmitarja, duke deklaruar më pas detaje interesante për gjyqin në lidhje me shëtitjen e një koke të prerë nga anëtarët e Bandës së Lushnjës. Mimoza Haxhiu ka deklaruar në prokurori se ka qenë një nga dëshmitaret e atij akti makabër kur pjesëtaret e Bandës së Lushnjës me në krye Aldo Baren shëtisnin me kokën e hasmit në qytetin e Lushnjës. "I njihja disa prej anëtarëve të bandës, pasi ata frekuentonin lokalin tim. Atë ditë kanë qenë Aldo Bare, Enver Dondollaku, Arjan Aliço, Leonard Prifti dhe shumë të tjerë. Koka që ata mbanin në duar dhe më pas filluan të luanin me të ka qenë me flokë të gjata. Nuk arrita ta dalloja se e kujt ishte ajo kokë, por po atë ditë mësova se ishte koka e Artur Dajës, që ishte vrarë prej tyre", tha Haxhiu.
Dëshmitë e tjera
Ndërkohë, dje në gjykatë janë lexuar edhe deklarimet e Pranvera Haxhiut, e cila është marrë peng nga anëtarët e bandës për disa orë së bashku me familjarët e tjerë. "Në një mbrëmje të muajit gusht, disa persona erdhën te dera e banesës dhe bërtisnin. Ndërsa po hapja derën personat thoshin se ishin të policisë. Ishin të gjithë të maskuar, ndërsa armë nuk vura re se kishin me vete. Hynë në banesë dhe më morën mua dhe bashkëshortin tim, Karafilin. Na hipën në një fugon të mbyllur ku pamë se ishte bashkëshortja dhe familjarë të tjerë të Shkëlqim Haxhiut. Nuk e morëm vesh se ku po na çonin. Pas 20 minutash rrugë na zbritën dhe na futën në një dhomë që s‘e morëm vesh se ku ishte. Aty na pyetën të gjithëve se ku ndodhej Shkëlqimi. Nuk na kërcënuan apo të na rrihnin, por pasi na pyetën na lanë sërish të lirë. Kur u kthyem për në shtëpi, vumë re që banesa e Shkëlqim Haxhiut ishte përfshirë nga flakët", deklaroi Pranvera Haxhiu. Një tjetër deklarim ka qenë i Flamur Bilbilit, vëllai i një prej viktimave të bandës. Luan Bilbili është vrarë nga Banda e Lushnjës në ‘98-ën, kështu ka deklaruar vëllai i tij në prokurori tre vite më parë. Flamur Bilbili ka deklaruar përpara hetuesve se më 17 gusht të 1998-ës i kishin vrarë vëllain dhe gjatë ceremonisë mortore i kishin thënë se trupi i tij ishte gjetur te gropa e derrit. Gjithashtu, dëshmitarja ka treguar se ishte informuar se një ditë më parë atë e kishin marrë në banesë Luan Stërgu dhe Arben Boriçi për të bërë një sqarim, për një shpërthim që kishte ndodhur dy ditë më parë në afërsi të banesës së familjes Bilbili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›