E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kënaq PR me Ministrinë e Mjedisit

Për Kryeministrin Berisha, çështja e negociatave me republikanët është zgjidhur. Gjatë takimit të djeshëm me kryetarin e PR-së në mesditë, Kryeministri i ka ofruar Mediut vetëm një pjesë nga "copa e tortës" së pushtetit, postin e ministrit të Mjedisit dhe të dy zëvendësministrave. Pjesë kjo që duket e mjaftueshme për republikanët, të cilët e kanë pranuar ofertën e bërë nga kreu i qeverisë, duke i thëne, po ne mbledhjen e kryesisë, e cila është mbledhur dje pasdite ne orën 19.30 dhe ka përfunduar rreth orës 21.00. Por për t‘u treguar me dinjitozë, republikani Mediu nuk i ka thënë menjëherë po Kryeministrit Berisha ose të paktën këtë përshtypje la para mediave duke theksuar se duhet të vërë më parë në dijeni strukturat e partisë dhe konkretisht Kryesinë e saj. Pas diskutimit me Kryesinë e PR-së, Mediu do t‘i bëjë të ditur Kryeministrit vendimin e marrë dhe më pas pritet publikimi zyrtar i postit ministror dhe emrit që do drejtojë Ministrinë e Mjedisit. Nga burime brenda PR-së mësohet se do jetë vetë kryetari Mediu i cili do të marrë drejtimin e kësaj ministrie. Republikanët do të bëhen pjesë e kabinetit të ri qeverisës, pasi në zgjedhjet e 28 qershorit arritën të përfaqësohen me një deputet dhe një numër të konsideruar votash në mbarë vendin të shpërndara në qarqe të ndryshme. Duke pasur parasysh numrin e votave dhe rezultatin e arritur secila parti në zgjedhjet e qershorit, Kryeministri Berisha u shpreh para pak ditësh se edhe shpërblimi i tyre me poste ministrore apo me poste të tjera dytësore do të bëhet në bazë të këtyre votave të marra, pra në bazë të rezultateve të arritura. Për republikanët, duke pasur parasysh sistemin zgjedhor që u aplikua në zgjedhjet e 28 qershorit, i cili ishte diskriminues për partitë e vogla, rezultati i arritur është pozitiv dhe po të ndiqet logjika e votave, atëherë republikanët duhet të përfshihen në qeveri. Deri më tani, republikanët janë forca e dytë politike, pas LSI-së, që përfshihet në kabinetin qeveritar në nivel ministrash. Në qeverinë e shkuar, republikanët ishin forca e parë politike që zgjodhi pjesën më të mirë të qeverisë, Ministrinë e Mbrojtjes, post i cili u drejtua nga Mediu deri ditën e tragjedisë së Gërdecit, pas të cilës ministri Mediu dha dorëheqjen, por Berisha e mbajti sërish PR-në në qeveri këtë herë jo më në Ministrinë e Mbrojtjes, por me emrin e Anila Godos. Godo pati nën drejtim për gati një vit Ministrinë e Shëndetësisë, e cila tashmë iu besua LSI-së. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha nënshkroi me kryetarin e LSI-së, Meta, marrëveshjen e bashkëqeverisjes, duke i dhënë tri ministri, si dhe postin e zëvendëskryeministrit, por edhe poste të tjera dytësore. Tashmë Berishës i kanë mbetur vetëm dy ditë për të mbyllur negociatat edhe me partitë e tjera të cilat kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kabinetit qeverisës. Vetë Kryeministri Berisha duket se po tregohet i matur duke hedhur hapa të studiuar mirë para se të vendosë dhe të shpallë publikisht kabinetin e ri qeverisës me të cilin do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme. Hapa të cilët ai po i peshon me qëllim që të mos krijojë pakënaqësi si në radhët e aleatëve të tij ashtu edhe të vetë funksionarëve të tjerë të PD-së, ku për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë prej tyre do të mbeten pa u shpërblyer për vetë faktin se një pjesë të mirë të posteve ministrore i ka marrë LSI-ja dhe nuk mbetet shumë për t‘u ndarë mes vetë demokratëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›