Jahmir Hyka: T‘u shkaktojmë humbjen e parë danezëve
Josip Kuzhe ka vendosur ta ketë në dispozicion, duke mos e lejuar Jahmir Hykën të bashkohet me Shpresat për sfidën e së shtunës kundër Azerbajxhanit. Mosaktivizimi i Vangjelit për shkak dëmtimi ka bërë që tekniku kroat ta shohë mesfushorin 21-vjeçar si një alternativë të mirë, nëse do të jetë e nevojshme që Agolli të luajë në mbrojtje. "Tashmë është vendosur që nuk do të luaj edhe për U-21, pavarësisht se trajneri Bushati më kërkoi. Stafi teknik më ka komunikuar se do të vazhdoj stërvitjen me Kombëtaren për ndeshjen me Danimarkën", pohoi Hyka. "Shanse për t‘u aktivizuar? Të them të drejtën nuk kam biseduar me trajnerin, pasi vendime të tilla i takojnë vetëm atij. Personalisht mund të them se nëse do të zbres në fushë, do të jap maksimumin për të justifikuar besimin. Do të bëjmë më të mirën, pse jo edhe të fitojmë, pasi asnjë skuadër nuk e fillon lojën me idenë që të humbasë". Danezët janë skuadra e vetme në Grupin 1 që nuk e njeh humbjen në këto eliminatore të Botërorit 2010. "Danimarka është një skuadër që kombinon futbollin fizik me atë teknik. Ne mund t‘i vëmë në vështirësi me përdorimin e topit dhe duke i kundërsulmuar shpejt. Edhe mund të ndodhë që humbja e tyre e parë të vijë pikërisht pas sfidës në ‘Qemal Stafa‘. Në futboll çdo gjë është e mundur", përfundoi talenti që militon te Mainci në Bundesligën gjermane.