PS bojkotoi seancën e sotme parlamentare

Grupi parlamentar i PS-së vendosi sot të bojkotojë punimet e seancës plenare në Kuvend, me kërkesën për depozitimin e shpejtë në parlament të dekretit të Presidentit për ligjin e Kodit zgjedhor.
Pas ndërprerjes së punimeve sotme në Kuvend, kërkuar nga kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, deputetët e PS-së dolën me vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e p/ligjeve në parlament, deri në sjelljen në seancë të dekretit të Presidentit për Kodin zgjedhor.
"Grupi i PS-së denoncon farsën e turpshme dhe përpjekjen e kryeministrit Sali Berisha për diversion, një përpjekje për të dështuar procesin zgjedhor për interesa të tij. Ndaj deputetët socialistë nuk do të jenë në seancë në votimin e asnjë ligji, përsa kohë në parlament nuk do të vijë dekreti i Presidentit për kodin zgjedhor", deklaroi Leskaj në seancën e sotme.
Dy ditë më parë komisioni për reformën zgjedhore, i ringritur me vendim të parlamentit, mori në shqyrtim dekretin e Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor. Paraprakisht, palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme për mënyrën e shqyrtimti të dekretit. Ndërsa PS është shprehur se komisioni i posaçëm duhet të shqyrtojë vetëm çështjen për të cilën është kthyer dekreti, që lidhet caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, PD shprehet e hapur për diskutimin edhe të çështjeve të tjera.