E Diel, 1 Nëntor 2026

Relacioni, mazhoranca: Pikat ku shkelet Kushtetuta

Gumi: Objekti i hetimit, në kundërshtim me vendimet e Kushtetueses. Shkelet ligji për përbërjen dhe cenohen të dhënat personale

Projektvendimi i opozitës i paraqitur në Komisionin e Ligjeve është në shkelje të Kushtetutës. Pikat 2, 3 dhe 4 të tij duhet të riformulohen në përputhje me ligjin themelor të shtetit, por dhe ligjet e tjera të vendit. Kështu theksohet në relacionin e mazhorancës lidhur me projektvendimin e socialistëve për ngritjen e një komisioni për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Relatori demokrat, Viktor Gumi, në një material prej 10 faqesh ka argumentuar shkeljet e Kushtetutës, ligjit për komisionet hetimore, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por dhe ligje të tjera si ai për të mbrojtjen e të dhënave personale. Mbi këtë bazë mazhoranca propozoi miratimin në parim të draftit, por përmirësimin e të gjitha pikave që shkelin ligjin.

Shkelja e ligjit

Mazhoranca ka argumentuar një për një gjithë bazën ligjore që shkelet nga projektvendimi i demokratëve. Relatori Gumi theksoi se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, objekti i hetimit duhet të jetë i parashtruar në mënyrë të qartë e të saktë, duhet të përmbajë fakte ose tërësi faktesh, të jetë i përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme, të plotësojë kriterin e saktësisë dhe të mosdykuptimësisë, gjë që nuk e përmbush projektvendimi i socialistëve. Sipas tij, mungon edhe përcaktimi në mënyrë të mjaftueshme i objektit të hetimit parlamentar. “Për sa kohë ngritja e komisionit hetimor parlamentar nuk mbështetet në konceptet autonome kushtetuese, “fakte, tërësi faktesh, fakte të përcaktueshme apo kompleks faktesh”, edhe objekti i hetimit nuk ka se si të jetë i përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme”, - argumentona ai. Një tjetër shkelje, sipas demokratëve, është edhe përbërja e komisionit. Ligji përcakton qartë se shumica i takon opozitës dhe numri i anëtarëve duhet të jetë tek, ndërkohë që asnjë nga dy variantet e opozitës nuk është tërësisht në përputhje me ligjin. Sipas shumicës parlamentare, projektvendimi cenon edhe respektimin e të dhënave personale. Në kuadër të të gjitha këtyre shkeljeve, Gumi sugjeroi që “projektvendimi mund të miratohet në parim nga ana e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut. Pikat II, III, dhe IV të projektvendimit duhet të riformulohen në mënyrë të pranueshme nga këndvështrimi kushtetues, cilësi që ato nuk e kanë në formulimin aktual të paraqitur”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›