E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS çel fushatën në Fushë Krujë, Rama:Askush nuk e mban dot më Berishën në majë të fikut

FUSHE KRUJE - Partia Socialiste hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore në Fushë Krujë me një prezantim të 2 kandidatëve në këtë rreth, Namik Doklen dhe Artur Bushin. Mitingu u mbyll me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili u argumentoi qytetarëve të Fushë Krujës avantazhet që sipas tij, do tu sjellë vota për Partinë Socialiste më 23 qershor. Sipas Ramës, kryqi mbi numrin 29 në fletën e votimit, do të thotë heqje e taksës së biznesit të vogël, legalizim i banesave, zerim i taksës për ushqimet bazë apo ilaçet, dhe ulje taksash për 95% të shqiptarëve.

“Në 23 qershor të gjithë ju të vetëpunësuarit e këtij rrethi që jetoni me një biznes të vogël, keni mundësinë e madhe që duke marrë në dorë fletën e votimit dhe duke vendosur në pak sekonda një kryq tek PS, t’i vini kryqin taksës për biznesin e vogël dhe t’i jepini vetes mundësinë që të merrni frymë lirisht dhe të çoni më shumë lekë në shtëpitë tuaja.Të gjithë ata që kanë ndërtuar një shtëpi dhe që akoma sot nuk e kanë dokumentin e pronësisë, keni mundësinë që në 23 qershor, me një kryq tek nr 29, t’i jepni vetes dokumentin që e bën shtëpinë tuaj pasurinë tuaj përjetësisht. Dua të vazhdoj me ata njerëz të thjeshtë të lodhur nga puna rraskapitëse në toka, me një kryq aty ku shkruan PS, t’i jepni vetes certifikatën e tokës. Me votën për PS, shqiptarët do të ulin taksat për 95% të njerëzve të këtij vendi. Ju e dini mirë se krimi godet, njëlloj edhe socialistët dhe demokratët, ashtu si varfëria dhe papunësia, ashtu si rrenat e Saliut marrin në qafë njëlloj dhe socialistët dhe demokratët. Zotohem përpara jush se me votën për PS do të ndryshojë diçka themelore. Cdokush që do të guxojë të prekë një shqiptar, ka prekur shtetin dhe do të përballet me policinë e shtetit shqiptar. Do ti kthejmë shqiptarëve dinjitetit që sot u merret nëpër këmbë”- deklaroi Rama.

Ndërsa theksoi sërish se PS do të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë drejtorët e shkollave që detyrojnë nxënësit të marrin pjesë në fushatën zgjedhore, Rama ironizoi kryeministrin Berisha, duke thënë se “tashmë askush nuk mund ta mbajë më në majë të fikut”. 

Kryesocialisti premtoi mosnjohjen e gjobave ndaj sipërmarrësve dhe tregtarëve, të vendosura prej 1 marsit nga qeveria, duke i konsideruar ato si presion të mazhorancës për të marrë votat e tyre

“Këta janë duke ikur dhe si i mbyturi që mundohet të kapet pas fijes së barit, mundohen të kapen pas fantazmës së frikës që duan ta fusin kudo dhe një nga mënyrat që përdorin është gjobitja e fshatarëve, sipërmarrësve dhe tregtarëve. Gjobitja për tua lëne gjobat mbi kokë, që po nuk votuat për PD do t’i paguani 1 më 1. Çdo gjobë që është vënë nga 1 marsi nuk do ta njohim. Gjobat mbajini si certifikatë të opozitarizmit ndaj këtij pushteti të marrë fund”- u shpreh Rama. 

NAMIK DOKLE: NË 23 QERSHOR DUHET T’I THEMI STOP SALIUT
“Edhe një muaj ka mbetur dhe do të gdhihet 24 qershori me Shqipërinë e rilindur, me fitoren e PS-së. Do të jetë mëngjesi i rilindjes sonë, mëngjesi i rilindjes së Shqipërisë. Kudo në të gjitha njësitë e rrethit të Krujës kemi dëgjuar dëshirën dhe pasionin e madh për rilindje. Takova sot një burrë, i cili kishte dhimbjen e madhe për humbjen e së shoqes. Mu dhimbs shumë tha, por mu dhimbs edhe më shumë se nuk kisha lekë të paguaja për shërimin e saj. Ne duhet të punojmë të gjithë për rilindjen. Rilindja vjen nga zemrat, nga shpirti, nga puna e të gjithë juve. Në vendin tim, në vendin tënd vjen një i marrë e gjithë vendin çmend. Ne nuk duhet ta lejojmë më këtë situatë. Në 23 qershor duhet t’i themi stop Saliut që të marrë fund korrupsioni, papunësia, stop Saliut që të rilindë Shqipëria me Edi Ramën kryeministër”. 

BLENDI KLOSI: EDHE VETËM 29 DITË PËR TË VOTUAR 29
“Edhe vetëm 29 ditë për të votuar 29. Edhe vetëm 29 ditë kur ne do të shkojmë derë më derë, sofër më sofër për të shpërndarë kudo idetë e rilindjes. Kudo ku kemi qenë një kërkesë kemi patur nga banorët, një kërkesë që ka të bëjë me punësimin. Premtimin për vende të reja pune PS do ta mbajë. Kjo është një fushatë e cila nuk ka rezultat tjetër, përveçse fitore për PS dhe Edi Ramën. Ne do të jemi së bashku kudo, në çdo shtëpi, në çdo sofër”.

VANGJUSH DAKO: BESOJMË TEK FITORJA E 23 QERSHORIT, BESOJME TEK EDI RAMA
“Më 23 qershor Shqipëria do të rilindë. Qarku i Durrësit do të jetë fitues. Do të ketë një rilindje për të gjitha qytetet. Qarku i Durrësit do t’i japë fitoren më të thellë historike PS-së. Pas 23 qershorit një rilindje e vërtetë do të jetë për shërbimin shëndetësor, arsimor, për qytetet tona, që do të jenë më të pastra, më të gjelbëra më të bukura, me punësim, taksa më të ulëta. Pas 23 qershorit me Edi Ramën kryeministër, ky qark do të jetë qarku më i rëndësishëm i vendit pasi e meriton për pozicionin e favorshëm që ka, ka detin e Durrësit dhe malin e Krujës. Jemi këtu sepse ne besojmë tek fitorja e 23 qershorit, besojmë tek Edi Rama. Njeriu që ndryshoi Tiranën dhe me punën dhe vizionin tij do të ndryshojë të gjithë Shqipërinë. Urime dhe fitore PS-së”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›