E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS denoncon dëmtimin e parkut të Tiranës

Grupi i këshilltarëve bashkiakë të majtë kanë denoncuar shpyllëzimin e një pjese të parkut të kodrave të liqenit, atë në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku po priten pemët në një sipërfaqe prej 7 mijë metrash katrorë. Këshilltarët socialistë Aldrin Dalipi, Genti Gazheli dhe Florian Pullazi kanë kërkuar transparencë për dëmin që i bëhet qytetit dhe vendimmarrjen në kundërshtim si me interesin qytetar ashtu edhe me premtimet elektorale të Lulzim Bashës. Kreu i këshilltarëve të majtë i ka kërkuar Bashës të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore dhe mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim. Dalipi ka nënvizuar se Prokuroria e Tiranës duhet të nisë menjëherë hetimet për këtë masakër mjedisore në kodrat e liqenit.

Kemi një sensibilitet të madh të qytetarëve të Tiranës dhe një shqetësim të qytetarëve të Tiranës dhe organizatat ambientaliste në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Parkun kombëtar të Liqenit në Tiranë, ku mijëra metra katrorë janë shkatërruar brenda një nate. Ne i kërkojmë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës të dalë menjëherë publikisht dhe të bëjë transparencë. Të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore, mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim. Ne si këshilltarë të këshillit bashkiakë të Tiranës nuk kemi miratuar dhe nuk njohim asnjë vendim të Bashkisë së Tiranës për një ndërhyrje të tillë e cila për ne është e papranueshme, tha Dalipi.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Bashkia e Tiranës, duke thënë se zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar. Sipas bashkisë zgjerimi i rrugës do të lehtësojë trafikun dhe do të reduktojnë ndotjen dhe nga ana tjetër sqaron se ka vepruar në përputhje me ligjin.

Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës  dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›