E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS depoziton në Kuvend projektet për hetimin e zgjedhjeve

28/02/2010 Draftet që do të kalojnë për shqyrtim mbajnë firmën e 35 socialistëve

Deputetët Erion Braçe dhe Taulant Balla depozituan dje në Protokollin e Kryesisë së Kuvendit dy projektligjet me të cilat Partia Socialiste u prezantua gjatë hyrjes së saj në Parlament. Draftet mbajnë firmat e mbi 35 deputetëve dhe pritet të kalojnë në procedurat parlamentare, sipas Rregullores së Kuvendit. Projektligji i parë, i cili mban autorësinë e sekretarit për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, synon ndryshimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të tij, PS-ja propozon që “për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të votimit. Kjo për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore”. Po ashtu parashikohet hapja e kutive për të rinumëruar fletët, për të verifikuar problemet e evidentuara gjatë pasqyrimit të rezultatit në tabelat përkatëse. Ky komision hetimor nuk mund të ngrihet më vonë se 6 muaj nga dita kur KQZ-ja shpall rezultatin për zgjedhjet e përgjithshme dhe 3 muaj për zgjedhjet vendore. Projekti tjetër i referohet zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Partia Socialiste propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar prej 15 anëtarësh, me shumicë dhe kryesi të opozitës. Ai do të hetojë mbi dyshimet për shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore, parregullsitë në numërimin, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve të administratës publike për fushatat zgjedhore. Pjesë e hetimit do të jetë dhe këqyrja dhe administrimi i fletëve të votimit që ndodhen në kutitë nën administrimin e KQZ-së. Në relacionin shoqërues, Partia Socialiste thekson se nuk kërkon të përmbysë rezultatin përfundimtar dhe as shfuqizimin e zgjedhjeve. Me këto drafte selia rozë synon transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe të zgjedhjeve të ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›