E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i gazit, Shqipëria e papërfshirë në rrjetet ndërkombëtare

28/02/2010 Gazsjellësi Trans-Adriatik, i vetmi që mund të ulë tarifat

Çmimi i lartë i gazit për ngrohje në vendin tonë, mbetet kryesisht shkak i mospërfshirjes së Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të gazit. Ka disa përpjekje, projekte dhe kontrata të nënshkruara, të cilat ende nuk janë bërë fizibël që vendi ynë të ketë akses në rrjetin ndërkombëtar të gazit. Dy vite më parë KRRTRSH miratoi projektin madhor të gjurmës së gazsjellësit Trans-Adriatik. Gjurma kryesore e këtij projekti, përfshin Shqipërinë në një korridor që do të sjellë gazin nga vendet Kaspike, nga vendet e Lindjes së Mesme dhe burimet e gazit të lëngëzuar në Turqi. Projekti lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në qarkun e Korçës për të vazhduar në Jug në Kolonjë, Përmet dhe zonën e Tepelenës, duke kaluar më pas në rrethin e Vlorës, duke u ngjitur në veri deri në zonën e Mallakastrës për të dalë në detin Adriatik në bregdetin afër Fierit. Njëkohësisht në këtë projekt është përfshirë edhe linja që shkon në veri në drejtim të malësive të Dumresë që është një burim natyror mjaft i rëndësishëm për t`u shfrytëzuar për depozitim nëntokësor të gazit. Ky projekt është miratuar nga komuniteti evropian si një projekt prioritar dhe ka mbështetje nga qeveria zvicerane, e cila është gjithashtu në një proces lobingu në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen e disa komisionerëve të BE-së për përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt.

Sasia

Gazsjellësi Trans-Adriatik ka një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metër kub, një pjesë e të cilit është parashikuar të përdoret për TEC-et e reja që do të ndërtohen dhe për nevojat e tjera në Shqipëri. Tashmë pritet që projekti i hedhur në letër të gjejë zbatim në terren, pasi do të ndikojë menjëherë në uljen e çmimeve të gazit të lëngshëm në vendin tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›