E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët e autostradës, Fier-Vlorë sërish në protesta

26/02/2010 Nuk u janë dhënë pagat prej shumë muajsh

FIER- Punëtorët që ndërtojnë autostradën Fier-Vlorë kanë bërë sërish protestë duke bllokuar për më shumë se një orë rrugën nacionale dhe fshatrat e zonës së bregdetit, të cilat janë 8, në komunën Levan të Fierit. Shkak i kësaj proteste është mosmarrja e pagës për një periudhë kohe prej 8 muajsh. Sipas punëtorëve, ky është vetëm fillimi i protestave duke u shprehur se ato do të vijojnë sërish edhe në ditët e ardhme duke bllokuar përditë aksin kombëtar Fier-Vlorë e do të hidhen në grevë urie në rast të mospagesës së punës së kryer. Ata kërkojnë pagesën e munguar si dhe kërkojnë ndërhyrje të Ministrisë së Transportit në mënyrë që kjo të zgjidhë këtë situatë.

“Kemi 8 muaj që nuk kemi marrë pagën. Kemi bllokuar rrugën që të çon në Bishan dhe rrugën Fier-Vlorë. Kemi muaj të tërë që ngopemi me gënjeshtra. Nëse nuk do të zgjidhen problemet tona ekonomike, atëherë ne do të bllokojmë rrugën nacionale dhe do të hidhemi në grevë urie në ditën e hënë”. Administruesi i firmës “Palmier”, i cili po punon aktualisht në këtë aks rrugor Përparim Gropa, e njeh borxhin ndaj të punësuarve, por sipas tij gjithçka ka ardhur nga mosderdhja e lekëve nga ana e firmës tender fituese “Alban Tirana”, e cila nuk ka dhënë lekët firmës që punon “Palmier” megjithëse nga shteti është likuiduar. Punëtorët më të drejtë janë revoltuar, ka thënë Gropa, se u ka vajtur atje ku nuk mban më. Sot kanë bllokuar rrugën që lidhin fshatrat e bregdetit dhe nëse nuk do të ketë ndikim nga presidenti i firmës “Alban Tirana”, Gëzim Koroveli, atëherë do të hidhen në grevë urie. Unë do t’i drejtohem nesër ministrit të Transportit në mënyrë që të zgjidhet ky ngërç i krijuar me administratorët e “Alpin” nga ku varet “Alban Tirana”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›