E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, deputetët në bazë për protestën e 30 prillit

Grupi parlamentar i PS-së nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të seancës parlamentare


TIRANË - Deputetët socialistë nuk do të marrin sërish pjesë në seancën e sotme plenare që pritet të mbahet pasdite në orën 18:00. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur dje që të bojkotojë punimet e Kuvendit në seancë plenare në shenjë proteste për ndëshkimin që Byroja Parlamentare u bëri dy deputetëve të majtë, Tauland Balla dhe Saimir Tahiri. Ndryshe nga e enjtja e një jave më parë, ku u protestua para sallës së seancave plenare, të zgjedhurit socialistë sot nuk do të paraqiten fare në Kuvend.


Vendimi iu është komunikuar deputetëve nga kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, i cili mësohet ta ketë konsideruar dënimin e Ballës dhe Tahirit si politike. Balla u dënua me përjashtim nga e drejta për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit për dy javë, ndërsa Tahiri me paralajmërim për përjashtim.


Shkak për dënimin e tyre nga Byroja u bënë fjalimet që ata mbajtën në seancën e dy javëve më parë, ku ata akuzuan qeverinë dhe kryeministrin Berisha si hajdut të pasurisë së shqiptarëve.


Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme grupi ka diskutuar edhe për protestën e datës 30 prill, që do të mbahet në Tiranë, për të cilin kanë marrë udhëzime konkrete nga drejtuesit e partisë. Kështu, dje është vendosur që të gjithë deputetët socialistë do të shpërndahen sot në zonat e tyre elektorale ku dhe do të nisin një proces të gjatë takimesh me qytetarët, për t'i bindur ata mbi arsyet pse duhet të jenë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në datën 30.


Mësohet se për këtë qëllim ata do të jenë në kontakt të përditshëm me strukturat e partisë në qendër për të koordinuar veprimet dhe për të marrë masat për lëvizjen e protestuesve nga rrethet në Tiranë.


Ndërkohë që gjatë mbledhjes nuk është dhënë asnjë shpjegim më shumë për mënyrën e organizimit të protestës më datë 30 prill dhe 1 maji, pasi iu është thënë se çdo gjë do të bëhet e ditur në kohën e duhur. PS-ja dhe e gjithë opozita ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që t'i bashkohen protestës në bulevard për të shprehur pakënaqësitë jo vetëm ndaj kutive që mazhoranca nuk pranon t'i hapë, por edhe ndaj mënyrës sesi po qeverisen.


Në mbledhjen e djeshme të grupit me propozim të Valentina Leskajt është vendosur që të ndihmohet ekonomikisht edhe familja e ish-deputetit Fatmir Xhindi, i cili gati një vit më parë mbeti i vrarë në një pritë të ngritur në hyrje të shtëpisë së tij në Roskovec të Fierit.


Deputetët socialistë kanë rënë dakord që të japin nga të ardhurat e tyre nga 1 mijë lekë të reja çdo muaj për të paguar kredinë që Xhindi kishte marrë. Vrasja e tij ka mbetur ende mister, pasi pavarësisht se po mbush plot një vit, organet e policisë dhe ato të prokurorisë nuk kanë mundur të vënë gishtin kundrejt askujt si autorë të saj.


Për këtë qëllim, PS-ja e ka trajtuar zbardhjen e këtij krimi të rëndë si parësor, duke e vendosur si pikë në çdo vendim dhe rezolutë që ka miratuar në forumet e larta drejtuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›