Vizat, KE: Shqipëria nuk ka plotësuar të gjitha kushtet

Sipas një raporti të Komisionit Europian, Shqipëria dhe Bosnja kanë ende punë për të bërë
TIRANË - Komisioni Europian zbeh trumbetimin e qeverisë shqiptare se shqiptarët do të lëvizin të lirë në Europë në vjeshtën e këtij viti. Sipas një raporti të publikuar së fundi nga KE-ja, bëhet e ditur se Shqipëria dhe Bosnje - Hercegovina nuk kanë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave.
Në këtë mënyrë, sipas raportit vlerësues të Komisionit Europian, pavarësisht plotësimit të pjesës më të madhe të kritereve, këto dy vende nuk kanë arritur kushtet për të bërë të mundur heqjen e plotë të vizave.
"Shqipëria duket se i ka përmbushur masat e bllokut të parë të udhërrëfyesit për vizat, njësoj është edhe Bosnja", - vlerësojnë ekspertët për sigurinë e dokumenteve. Në këtë proces, vendi ynë renditet pas Bosnje - Hercegovinës për sa i përket bllokut të dytë, që ka të bëjë me emigracionin ilegal dhe riatdhesimin.
"Duket se Shqipëria i ka plotësuar në përgjithësi kriteret e përcaktuara. Por, verifikimi i mëtejshëm është i nevojshëm për sa i takon zhvillimit të një strategjie dhe politike për mbështetjen e refugjatëve të riatdhesuar", - shkruhet në dokument.
Ndërsa në bllokun e tretë të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, ka të bëjë me sigurinë dhe rendin publik, të dyja vendet ndodhen në të njëjtin stad për mosplotësimin e kritereve të kërkuara. Dokumenti specifikon se nevojiten përpjekje për forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit, të zbatimit të kuadrit ligjor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Shqipëria ka plotësuar shumicën e masave.
Por, përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe implementimit efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore.
Në mënyrë të veçantë, zbatimi i një kuadri të ri ligjor për çështjen e konfiskimit të aseteve kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri", - shkruhet në dokumentin vlerësues të KE-së. Lidhur me bllokun e katërt dhe të fundit, mbi të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, të dy vendet thuhet se kanë plotësuar në përgjithësi kriteret e kërkuara.
Pasi të shqyrtojnë dhe analizojnë vlerësimin Komisionit Europian, vendet anëtare të Bashkimit Europian pritet të shtojnë edhe vlerësimet e tyre mbi kushtet e Shqipërisë dhe Bosnjës për heqjen e regjimit të vizave.
Duke iu referuar këtij dokumenti vlerësues Komisioni Europian do të përgatisë edhe rekomandimin në fund të muajit maj, për ta publikuar atë në javën e parë të muajit qershor. Sipas zyrtarëve të Brukselit ky rekomandim mendohet të jetë pozitiv, por i kushtëzuar.
Për këtë arsye, do të dërgohen misione shtesë të ekspertëve evropianë për të parë në terren kriteret e paplotësuara deri më tani. Rekomandimi që do të paraqesë KE-ja do të shqyrtohet nga Parlamenti Europian përpara se t'i kalojë për vendim Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.
Në këtë mënyrë, mosplotësimi i të gjitha kritereve nga ana e Shqipërisë dhe Bosnjës si dhe procedurat e institucioneve të BE-së mund të vonojnë liberalizimin e vizave, deri në fund-vjeshte apo fillim-dimrin e këtij viti, me kusht që të dy vendet deri atëherë t'i kenë plotësuar të gjitha kriteret teknike.
Pikat kryesore të raportit vlerësues të Komisionit Europian:
Shqipëria i ka plotësuar në përgjithësi kriteret e përcaktuara. Por, verifikimi i mëtejshëm është i nevojshëm për sa i takon zhvillimit të një strategjie dhe politike për mbështetjen e refugjatëve të riatdhesuar.
Shqipëria ka plotësuar shumicën e masave. Por, përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme në lidhje me forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe implementimit efikas të kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore. Në mënyrë të veçantë, zbatimi i një kuadri të ri ligjor për çështjen e konfiskimit të aseteve kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri
Të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me jashtë, për të dyja vendet thuhet se kanë plotësuar në përgjithësi kriteret e kërkuara.
Nisma mundëson vendosjen e një takse prej 10% të vlerës së truallit në vit për të gjitha ato familje që kanë shtëpi apo ndërtesa të tjera në toka shtetërore