IKMT prish disa struktura informale për shuarjen e gëlqeres në Krujë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ndërhyri në zonën e Krujës për prishjen e disa strukturave informale të përdorura për shuarjen e gëlqeres, një aktivitet që sipas autoriteteve kishte ndikim të konsiderueshëm në mjedis.
Sipas verifikimeve të kryera në terren, strukturat ndodheshin në Pyllin e Picrragës dhe përdoreshin për djegien e materialeve të ndryshme, përfshirë goma të përdorura, plastikë dhe mbetje vajrash.
Autoritetet bëjnë të ditur se nga ky aktivitet çliroheshin tymra dhe substanca të dëmshme që ndotnin ajrin, tokën dhe ujërat përreth, duke krijuar gjithashtu rrezik për shëndetin e banorëve të zonës.
IKMT bën të ditur se, ndërhyrja synon mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, si dhe rivendosjen e ligjshmërisë në territor.
/gj.m/a.f/r.e/