E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Europës, vëzhgues të posaçëm për Himarën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 05-05-2011 10:42

Këshilli i Europës shfaq interes të veçantë për zonën e Himarës, në zgjedhjet vendore të 8 Majit. Incidentet e zgjedhjeve të shkuara vendore, por edhe ngarkesat nacionaliste që shkakton kjo qytezë mes shqiptarëve dhe minoritetit grek, ka bërë që Këshilli i Europës t’i kushtojë një vëmendje të madhe vëzhgimit të zgjedhjeve në këtë zonë. Për këtë qëllim, dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e 23 vëzhguesve të Këshillit të Europës, nga të cilët dy do të stacionohen në Himarë. Po dje, KQZ ka miratuar dhe 7 vëzhgues shtesë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, si dhe 53 vëzhgues të tjerë të zyrës së OSBE-së në Tiranë, e kryesuar kjo nga ambasadori Eugen Wollfarth.

Këshilli i Europës

Zgjedhjet për pushtetin vendor, që do të mbahen të dielën, do të monitorohen nga më shumë se 6000 mijë vëzhgues vendas dhe të huaj. E ndërsa KQZ ka mbyllur mundësinë e regjistrimit të vëzhguesve vendas, ajo ka vijuar dje të miratojë lista të tjera vëzhguesish nga institucione të rëndësishme, siç janë KiE, OSBE apo edhe SHBA. Kështu, komisioni ka miratuar me vota të plota listën prej 31 vëzhguesish të paraqitur nga Këshilli i Europës, nga të cilët 8 në rolin e përkthyesve. Ndërkohë që 17 vëzhgues vijnë nga jashtë dhe përfaqësojnë Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Europës. Pjesa dërmuese e tyre do të vëzhgojë zgjedhjet kryesisht në qarqet e mëdha, ku 5 në Tiranë, 4 në Shkodër, 2 në Durrës, 2 në Elbasan dhe 2 në Vlorë. Ndërkohë që të njëjtën rëndësi me secilin nga këto qarqe të mëdha ka marrë edhe Bashkia e Himarës, zgjedhjet e së cilës do të vëzhgohen po ashtu nga dy të dërguar të posaçëm të Këshillit të Europës. Gjeorgjiania Mamuka Abuladze dhe estonezi Mihkel Juhkami janë përcaktuar në këtë listë për të monitoruar procesin e zgjedhjeve në Himarë.

OSBE-SHBA

Përveç 450 vëzhguesve afatshkurtër të misionit të OSBE-ODIHR-it, të kryesuar nga Jonathan Stonestreet, KQZ ka miratuar dje dhe 53 vëzhgues të tjerë, por kësaj here përfaqësues të zyrës së prezencës së OSBE-së në vendin tonë. Lista kryesohet nga ambasadori Wollfarth, i cili së bashku me ambasadorin amerikan dhe Jonathan Stonestreet, do të përbëjnë dhe nivelin më të lartë të vëzhguesve të huaj në vendin tonë. Pas Wollfarth, në listën e vëzhguesve të zyrës së OSBE-së vijnë zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj përfaqësie, si Dan Redford, Darcie Nielsen, Mattheu Hartman, Alenka Verbole etj. Në këtë listë bëjnë pjesë dhe anëtarë të tjerë të kësaj zyre me shtetësi shqiptare. Ndryshe nga kërkesa e Këshillit të Europës, zyra e OSBE-së nuk specifikon zonat e mbulimit me vëzhgues, duke marrë leje për të monitoruar procesin në të gjithë vendin. Po dje, KQZ ka miratuar edhe një shtesë në listën e vëzhguesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, duke miratuar 7 emra të rinj. Një javë më parë, komisioni miratoi dhe një listë tjetër të Ambasadës së SHBA-së, ku binte në sy dhe emri i kreut të saj Aleksandër Arvizu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›