PS e Edvinit çahet nga poshtë
Ramës i kanë dalë nga kontrolli strukturat e partisë që ka trashëguar nga Sigurimi i Shtetit. Kandidatët e niveleve të dyta në listat partiake janë të gatshëm të marrin mandatet dhe të sfidojë aventurierin në krye të partisë, duke mos ua vënë veshin “zërave nga lart” që i vijnë Njeriut të Pezës
Ndërsa zërat nga lartë vazhdojnë ti falsin Edi Ramës, PS-ja, partia që ai pretendon se drejton, po i çahet nga poshtë. Prej vendimit tij të marrë, për urdhërimin e bojkotit të Parlamentit, nga deputetët socialistë, Edi Rama është vënë ndjeshëm nën presionin e zërave nga poshtë, të cilët dita-ditës po përshkallëzojnë qëndrimin e tyre dhe njëherazi urojnë djegien e mandateve të deputetëve socialistë që u shpallën fituese më 28 qershor.
Kandidatët për deputetë që u renditën qëllimshëm në vendet humbëse të listës socialiste, duket se kanë kuptuar të gjithë lojën dashakeqe të Edi Ramës, si një strategji të fshehtë për përjashtimin e tyre nga Partia Socialiste dhe njëherazi lënien jashtë dyerve të parlamentit. Jo vetëm kaq, por ata, të ndërgjegjësuar se teket e Edi Ramës, nuk janë asgjë më shumë se përpjekje të tij për ruajtjen interesave personale, të lidhura shumë me afera abuzive e korruptive, duket se janë të vendosur, të mos e lejojnë këtë.
Në një kohë kur deputetët socialistë, të cilët u certifikuar nga KQZ si fitues të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit ende nuk kanë hyrë në parlament, krahas kaosit që mbizotëron në selinë rozë nga angalla politike e Edi Ramës, të poshtmit e listës së deputetëve, kanë “përveshur duart”, për të fituar ndonjë vend nga zëvendësimi i listës së atyre aktualë.
Jo pa qëllim, kandidati i PS-së për qarkun Vlorë, Edmond Leka, i renditur i 11-ti në listën shumë emërore, deklaroi se është i gatshëm të marrë mandatin që i takon, pavarësisht renditja që i faturoi Rama ishte më shumë se diskriminuese dhe e qëllimshme. Nisur nga përvoja dështake dhe aspak e vlerësueshme e Edi Ramës në përballjet direkt politike, kandidatët e PS-së që u renditën dhunshëm dhe me pa të drejtë në vendet humbëse të listës së Edi Ramës dhe 99-shave të selisë rozë, po kërkojnë me ngulm të marrin atë që u takonte që më 28 qershor.
As më shumë dhe as më pak, një ambicie të tillë nuk e fshehu një ditë më parë edhe Ylli Manjani.
Juristi Ylli Manjani, i renditur i treti në listën e kandidatëve për deputetet në Qarkun e Dibrës ku PS-ja arriti të fitojë vetëm dy mandate në zgjedhjet e qershorit, mbështet interpretimin që juristët i bëjnë Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës duke i cilësuar se të pavlefshëm mandatet e deputetëve të grupit parlamentar socialist. Ai thotë se ditën që KQZ do ta njoftojë se ka marrë vendim për t’i dhënë mandatin si kandidat të radhës në listën e PS, ai do të jetë prezent në parlament për të përfaqësuar votuesit dibranë.
Në bazë të qëndrimit të tyre, kandidatët, të fundit në listat emërore të partisë, lënë të nënkuptuar se janë ata socialistët e vërtetë që meritojnë të përfaqësojnë PS-në në Kuvend, e ndërsa ata, që u shpallën “deputetë”, por që ende nuk kanë hyrë në parlament dhe as kanë kryer betimin, janë thjesht një lloj përzierjeje, mbetjesh, 99-shash, xhaketash të vjetra, ish ministra të nomenklaturës komuniste dhe deputetë mbi të cilët rëndojnë një seri akuzash për korrupsion, ryshfete e bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar. Pikërisht kjo klikë dhe kjo shtresë shoqërore avangarde, fati i së cilës është në dyshim, u përkrah nga Edi Rama dhe u renditën në pozicionet fituese të listës së deputetëve në të gjithë qarqet e vendit, me synim humbjen e identitetit të Partisë Socialiste dhe spastrimin e saj nga figurat e vërteta drejtuese.
Por tashmë e drejta ka dalë në pah.
Zërat nga poshtë kanë filluar të intensifikohen dhunshëm dhe “silurët” e tyre të urrejtjes bien mbi kryesocialistin Edi Rama, i cili konsiderohet nga ata si armiku më i madh që në tërë karrierën e tij politike që nga marrja e drejtimit të PS-së, ka qenë eliminimi i zërave kritikë, spastrimi i PS-së nga mbështetësit e Fatos Nanos dhe njëherazi ingranimin në të, të vlerave antiperëndimore, antishqiptare që kërkojnë çrrënjosjen e idealizmave kombëtare dhe bllokimin e çdo aspirate të qeverisë në afrimin e shpejtë të Shqipërisë me kancelaritë perëndimore dhe drejt integrimit të plotë në BE.
Kësisoj, i vënë nën presionin e egër të përfaqësive socialiste në të gjithë vendin, se, pse PS po mungon në parlament, Edvini ka përdorur vetëm një argument, duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve dhe me nxjerrjen e preteksteve nga më të çuditshmet, rreth parregullsive të procesit, gjë, e cila bie poshtë, në konstatimin më të parë të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët jo vetëm njohën rezultatin, por edhe vlerësuan në tërësi mbarë procesin si më të rregulltin e zhvilluar ndonjëherë.
Në këtë aspekt, me djegien e afateve kushtetuese dhe nisur nga nenet e Kodit të ri Zgjedhor, Edvini ka humbur përfundimisht betejën e tij të bojkotit, pasi deputetët socialistë do të zëvendësohen me emrat pasardhës sipas listave respektive.
Emrat përfitues, që kanë filluar lëvizjet e para. Ata janë të gatshëm të sfidojnë aventurierin karikaturesk Edi Rama dhe t’i drejtohen KQZ-së për marrjen e mandateve dhe rifillimin e jetës parlamentare për Partinë Socialiste dhe opozitën në tërësi.
...