Policia e Shtetit u kundërpërgjigjet akuzave të Gramoz Ruçit për zbardhjen e vrasjes së Fatmir Xhindit

“Deklaratat janë abuzive dhe duan të pengojnë punën e organeve të hetimit”
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit reagoi dje ndaj një deklarate mediatike të një zyrtari të lartë të Partisë Socialiste. Anëtari i Asamblesë socialiste, Gramoz Ruçi akuzoi policinë për mungesë performance dhe rezultatesh në zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Si gjithmonë dhe siç jemi mësuar rëndom kohët e fundit nga klika edviniste në PS, edhe këtë radhë, për kapitalin ditor politik, u spekulua mbi të ndjerin Xhindi, thjesht e vetëm, hedhjen e ndonjë akuze ndaj strukturave shtetërore.
Nisur nga kjo çështje, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, hodhi poshtë akuzat e Ruçit dhe informoi opinionin publik se për zbulimin e ngjarjes është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e tre prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, si dhe 10 Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë dhe Departamentit për Hetimin e Krimeve në Policinë e Shtetit.
“Për hetimin e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, nga ana e Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune me specialistët më të mirë dhe me më shumë integritet profesional, duke vënë në dispozicion të hetimit të gjitha resurset njerëzore dhe teknikat speciale bashkëkohore të hetimit, me qëllim dokumentimin ligjor të këtij krimi. Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit po vazhdon hetimet me intensitet të lartë duke analizuar me kujdes të gjitha informacionet e marra për këtë çështje së bashku me prokurorinë për krimet e rënda dhe po zbaton të gjitha detyrat e deleguara nga ana e prokurorëve. Policia nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive të saj duke zbatuar me korrektësi detyrimet që i ngarkohen asaj nga Ligji? Për Policinë e Shtetit”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Në vijim, Policia e Shtetit, i kërkon spekulantit Ruçi, që, nëse ka informacion të nevojshëm ta vërë atë në dispozicion të organeve të hetimit dhe jo duke u mëshuar tendencave që synojnë të pengojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.
“Për këto arsye, i sugjerojmë Gramoz Ruçi, që në funksion të zbulimit të së vërtetës, të gjithë informacionin e nevojshëm që disponon ta vërë në dispozicion të Prokurorisë Për Krimet e Rënda, si autoriteti përgjegjës që drejton dhe heton këtë çështje. Deklarata të tilla dizinformuese dhe abuzive kanë për qëllim pengimin e punës së bërë nga grupi hetimor dhe të shkaktojnë vonesa në zbardhjen e së vërtetës”, konkludon Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
...