PS, forumet vendosin për kuvendin
Një ditë pasi Kongresi i Jashtëzakonshëm mbylli punimet e veta, kreu i PS-së, Edi Rama, në një bashkëbisedim me gazetarët, ka komentuar vendimet e forumit më të lartë vendimmarrës të partisë, midis të cilëve edhe atë për qëndrimin për zgjedhjet, duke vlerësuar se tashmë i takon e drejta kryesisë dhe vetë grupit parlamentar për të përcaktuar qëndrimin që duhet të mbajë karshi Kuvendit të ri.
Me çeljen e legjislaturës së re, a do të hyjë grupi parlamentar socialist në Kuvend, apo do të presë vendimin e forumeve?
Kjo është një çështje, të cilën e vendos kongresi, i cili e ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve si të papranueshëm, e ka përcaktuar Parlamentin si një institucion me një legjitimitet të cunguar rëndë dhe duke i dhënë miratim rezolutës së asamblesë, ka përcaktuar njëkohësisht edhe një qëndrim politik refuzues ndaj procesit zgjedhor dhe refuzues ndaj institucioneve që prodhon ky proces, e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me Parlamentin dhe momentin kur PS-ja duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në Parlament.
Nuk ka një vendim për të mos hyrë në Kuvend?
Edhe një herë, qëndrimi i kongresit ndaj zgjedhjeve është i qartë dhe i prerë. I tillë është edhe qëndrimi ndaj Parlamentit dhe ndaj qeverisë, që do të thotë se PS-ja nuk mund të ketë një marrëdhënie normaliteti me Parlamentin dhe se për natyrën e kësaj marrëdhënieje dhe njëkohësisht për të gjithë procesin e trajtimit të kësaj marrëdhënieje, do të vendosin ato institucione që kongresi ka mandatar.
Z. Rama, edhe në Rezolutën e Asamblesë është një pikë për mos hyrje të PS-së në Parlament, d.m.th., a do të jetë më 7 shtator PS-ja në Kuvend?
Jo, nuk është thënë në asnjë mënyrë të tillë kjo që ju thoni në Rezolutën e Asamblesë. Përkundrazi, është përcaktuar qartësisht një qëndrim ndaj zgjedhjeve dhe kjo do të thotë që vendimmarrja e PS-së për marrëdhëniet me këtë Parlament me legjitimitet thellësisht të cunguar, është një vendimmarrje që kongresi ua ka lënë institucioneve të tjera të PS-së, duke i konsideruar këto zgjedhje pa legjitimitet dhe duke e konsideruar rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm
Do t'i mbeteni idesë së zgjedhjeve të parakohshme?
Pa asnjë dyshim që duke mos i njohur këto zgjedhje në kuptimin politik, ne e konsiderojmë të domosdoshme që sovraniteti i popullit dhe sovraniteti i institucioneve që burojnë nga zgjedhja e lirë dhe e ndershme e tyre, duhet të rivendosen me zgjedhje të reja dhe të parakohshme.
Për sa i përket garës për kreun e partisë, z. Malaj ka thënë se nuk do jetë më pjesë e garës. Cili është komenti juaj për këtë tërheqje?
Së pari, nuk kam dijeni për tërheqje të z. Malaj, por do më vinte shumë keq nëse kjo është e vërtetë. Në këtë moment nuk mund të bëj asnjë koment, pasi nuk jam në dijeni të kësaj tërheqjeje. Besoj që ky proces ku ne hyjmë është një proces i rëndësishëm për PS-në.
Është një proces i rëndësishëm për të diskutuar dhe shkëmbyer me anëtarësinë e PS-së të gjitha shqetësimet për këtë situatë dramatike ku ndodhet vendi dhe njëkohësisht për të konverguar së bashku, falë mundësisë që secili të shprehet në të gjithë larminë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve lidhur me këtë situatë.
Për çfarë mandati konkurrohet në këtë garë?
Këto janë zgjedhje të reja në PS dhe mandati i kryetarit të PS-së është 4-vjeçar.
Pas këtyre debateve që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe, si e shihni ecurinë e bashkëpunimit me grupin kundërshtar brenda partisë?
Unë nuk shoh grupe dhe nuk identifikoj grupe në PS, por shoh njerëz dhe kolegë që kanë pikëpamjet e tyre, të cilat janë pikëpamjet e tyre. Padyshim PS-ja ka nevojë për të gjithë dhe ka nevojë për kontributet e të gjithëve, sigurisht brenda një sistemi të gjithëpranuar dhe të bashkëpranuar rregullash e prioritetesh.
Në arsyet që z. Malaj jep për tërheqjen e tij nga gara, është edhe ajo për përmbajtjen e falënderimit që ju bëtë në kongres...
Falënderimi im ishte për të gjithë ata që punuan dhe bënë gjithçka mundën deri më 28 qershor dhe për të gjithë ata që pas 28 qershorit më kanë dërguar dhe dhënë mesazhe të pafundme solidariteti dhe mbështetjeje në një rrugë të përbashkët, kështu që përfshiheshin të dyja periudhat.
Në falënderimin tuaj ishin dhe 5 ish-pjesëtarët e LSI-së...
Duke e ditur në emër të kujt flisni, kuptoj dhe pse nuk e keni kuptuar edhe atë që unë kam thënë, apo bëni sikur nuk e keni kuptuar, sepse unë nuk i kam falënderuar përfaqësuesit e LSI-së së opozitarëve, por i kam cituar në një kontekst krejt tjetër, duke bërë të qartë se është koha për të hapur një kapitull bashkëpunimi dhe bashkimi me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve jo me LSI-në e tahmaqarëve.
Me LSI-në e Pëllumb Xhufit, Sabit Brokës, Ndre Legisit etj., jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës. Kjo ka qenë ajo që unë thashë, kjo është ajo së cilës unë i besoj dhe kjo është ajo së cilës unë i qëndroj, dhe për të cilën unë do të punoj intensivisht.
A nuk duket se në qëndrimin tuaj për çështjen e zgjedhjeve ka kundërshti?
Çështja e grabitjes së votave dhe e deformimit të vullnetit të popullit është një çështje themelore e cenimit të demokracisë, pavarësisht të gjitha të tjerave. Asgjë tjetër nuk e kthen këtë çështje në një çështje dytësore apo në një çështje të barasvlefshme me të gjitha të tjerat. Nuk ka shenjë barazimi.
Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye mes deformimit të vullnetit të popullit përmes një makinerie shtet-pushtet, që ishte një makineri elektorale kriminale dhe gjithçkaje tjetër që ka legjitimitetin e vet dhe që mund të thuhet, por në një kontekst krejt të ndryshëm nga ky.
Kështu që, pa i ngatërruar gjërat, unë ritheksoj që, PS-ja pati më 28 qershor një votë popullore, e cila me të gjithë deformimet nuk u transformua tërësisht dhe nuk e nxori PS-në në vend të dytë, por PS-ja mbeti forcë e parë.
Diferenca sigurisht nuk është ajo që përcaktoi populli shqiptar, por ajo që është ngushtuar falë deformimeve. Ndërkohë, në numërimin e përgjithshëm mes koalicioneve, këto deformime kanë kaluar pushtetin nga aty ku e ka çuar populli shqiptar tek aty ku e deshi dhe e mori ky pushtet i korruptuar dhe korruptues, që e ktheu gjithë shtetin në një makinë elektorale, që përdori gjithçka të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme për t'u ricikluar. Dhe unë, të më falni, por nuk arrij dot të pajtohem me shfokusimin nga kjo pikë.
Nuk arrij dot të pajtohem me faktin që pas bërjes publike të një serie shkeljesh shumë të rënda të Kushtetutës dhe të ligjit, ne të mbetemi tek çështje krejt relative dhe krejt të diskutueshme që kanë të bëjnë me PS dhe të lëmë pa nxjerrë në pah dhe pa vënë alarmin për të atilla shkelje rrëqethëse, si krijimi i një aleance të organizuar me një lukuni kriminelësh të nxjerrë nga burgjet për të bërë fushatë elektorale për pushtetin.
Një lukuni kriminelësh të vënë në dispozicion të pushtetit për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në të gjitha zonat e tyre të influencës dhe për të dekurajuar votuesit opozitarë me metoda mafioze.
Kjo nuk mund të tolerohet, për këtë nuk mund të heshtet. Kjo nuk mund të kalojë në plan të dytë dhe as të vendoset në një nivel me shumë çështje që mund të jenë interesante për t'u diskutuar, mund të hanë diskutim, por që s'kanë lidhje fare me standardet e lirisë, të demokracisë dhe të sigurisë në këtë vend.
Nëse një pushtet që i thotë vetes demokratik bashkëpunon me kriminelë të kyçur nëpër burgje për vrasje, për trafik droge, për përdhunime e për gjithfarë zullumesh të kësaj natyre, atëherë këtu nuk ka më vend për të folur për historira që janë të natyrshme për një vend demokratik, por që janë tërësisht janë kontekstit.
A nuk duhet bërë një analizë për të parë edhe mes vetes se çfarë nuk funksionoi në strategjinë tuaj elektorale për t'i fituar zgjedhjet?
Unë nuk pranoj që debati të shfokusohet nga thelbi i tij. Thelbi i tij ka të bëjë me lirinë e votuesve shqiptarë, me popullin shqiptar, me lirinë për të pasur të gjitha mundësitë që të vendosin për jetën e tyre.
Të gjitha liritë e qytetarëve janë të kërcënuara nëse rrënohet liria e tyre për të zgjedhur. Ne kemi të gjithë kohën në dispozicion për të bërë të gjitha analizat e funksionimit të makinës sonë elektorale dhe për të nxjerrë në pah të gjitha ato që ne duhet të bëjmë për ta përballuar këtë pushtet, por kjo është tërësisht e dorës së dytë përpara asaj që ka ndodhur.
Ajo që ka ndodhur është diçka që ka të bëjë me të gjithë Shqipërinë, që ka të bëjë me të gjithë shqiptarët, që ka të bëjë me të ardhmen e institucioneve të këtij vendi dhe të këtij vendi në tërësi.
Ju në fjalën tuaj në kongres, ju drejtuat dhe Presidentit të Republikës, duke deklaruar se do t'i bëni atij të ditura shkeljet që janë bërë gjatë këtij procesi zgjedhor. Kërkoni të vendosni një marrëdhënie tjetër me Presidentin, ose më saktë çfarë kërkoni?
Nuk fola për asnjë marrëdhënie të re me Presidentin, por fola për domosdoshmërinë që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njihet me këtë dokumentacion dhe të bëjë detyrën e tij. Sepse në këtë operacion kriminal është pushteti dhe këtë operacion kriminal e kanë orkestruar autoritete të larta shtetërore. Ku ndodh kjo? Në cilin vend demokratik mund të ndodhë kjo?!
Në cilin vend demokratik kjo anashkalohet apo trajtohet si njëra nga çështjet e ditës, madje në aneks të çështjeve të ditës?! Në cilin vend demokratik zëdhënësit e opinionit publik nuk e kthejnë këtë në një çështje që është me rëndësi absolute për sigurinë në vend?!
Çfarë mund të presësh nga një pushtet që bashkëpunon me kriminelë të kyçur burgjeve për të fituar zgjedhjet?! Çfarë mund të presësh nga një pushtet që, pasi i fiton zgjedhjet me kriminelë të kyçur burgjeve, kërkon të qeverisë normalisht katër vjet? Mund të presësh vetëm edhe më keq se kaq.
Çfarë synoni me këtë qëndrim të ri të Kongresit për sa u përket zgjedhjeve dhe njohjes së institucioneve të dala prej tyre?
Kam që dje dhe sot që po i jap përgjigje pikërisht kësaj çështjeje. Është një tjetër analizë dhe një tjetër konkluzion në rast se ne pranojmë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme dhe se rezultati i këtyre zgjedhjeve është rezultat i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, por për sa kohë që procesi ka qenë tërësisht i deformuar dhe rezultati është tërësisht i deformuar, analiza është kjo: Jetojmë në një vend ku demokracia është në rrezik dhe do të bëjmë gjithçka për të rivendosur të drejtën e çdo shqiptari e shqiptareje që të zgjedhë.
Për Kuvendin
"Ka përcaktuar njëkohësisht edhe një qëndrim politik refuzues ndaj procesit zgjedhor dhe refuzues ndaj institucioneve që prodhon ky proces, e ka lënë në dorën e institucioneve të tjera të partisë që të konsiderojnë raportin me Parlamentin dhe momentin kur PS-ja duhet të kthehet dhe nëse do të kthehet në Parlament"
Për Presidentin
"Nuk fola për asnjë marrëdhënie të re me Presidentin, por fola për domosdoshmërinë që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të njihet me këtë dokumentacion dhe të bëjë detyrën e tij. Sepse në këtë operacion kriminal është pushteti dhe këtë operacion kriminal e kanë orkestruar autoritete të larta shtetërore. Ku ndodh kjo? Në cilin vend demokratik mund të ndodhë kjo?"
Për LSI-në
"Unë nuk i kam falënderuar përfaqësuesit e LSI-së së opozitarëve, por i kam cituar në një kontekst krejt tjetër, duke bërë të qartë se është koha për të hapur një kapitull bashkëpunimi dhe bashkimi me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve jo me LSI-në e tahmaqarëve. Me LSI-në e Pëllumb Xhufit, Sabit Brokës, Ndre Legisit etj., jo me Lëvizjen Speciale për Interes të Ilir Metës"